Damian Gjiknuri në Kongresin Amerikan: Perspektiva e Ballkanit Perëndimor në NATO dhe BE
Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Damian Gjiknuri, mbajti sot një fjalë në forumin e organizuar nga Kongresi amerikan me temë “Si të kundërbalancojmë agresionin rus në Ukrainë dhe influencën malinje të Kinës në Europë”.
Në fjalën e tij, numri dy i socialistëve theksoi se Ballkani Perendimor duhet ta shohë veten në NATO dhe në BE. Gjiknuri tha se garantimi i tërësisë territoriale të Kosovës dhe normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë duhet të jetë një prej objektivave për t’u përmbushur.
“Theksova se konflikti i fundit mes botës demokratike dhe autokracisë nxori në pah faktin se luftërat kanë premisa më të mëdha të fillojnë aty ku ka ende zona të nxehta strategjike e historike apo janë lënë pezull çështje të pazgjidhura. Ballkani Perendimor është një nga këto zona dhe prandaj duhet ta shohë veten në perspektivën e botës demokratike që përfshin gjithë rajonin në NATO dhe BE. I takon botës demokratike që në këtë aleancë të zgjidhë njëherë e mirë çështjet ende të nxehta. Garantimi i tërësisë territoriale të Kosovës dhe normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë duhet të jetë një prej objektivave për t’u përmbushur në këtë linjë”, deklaroi ai.
Po ashtu Gjiknuri nënvizoi se koordinimi dhe bashkëpunimi në fushën ekonomike dhe atë të sigurisë del në plan të parë për ta bërë bllokun e botës demokratike të përballet me sukses në sfidat e së ardhmes.