Damian Gjiknuri: Në Vlorë nuk ka zgjedhje tjetër përveç PS-së

Kandidati i Partisë Socialiste, njëkohësisht deputet, Damian Gjiknuri, shoqëruar nga deputetja Pranvera Resulaj, zhvilloi pasditen e të hënës një takim me një grup banorësh të Rajonit nr.4 në qytetin e Vlorës.
“Rikthehem me kënaqësi për të kandiduar në Vlorë dhe të qëndroj këtu për aq kohë sa më duan qytetarët, të marr votën për Partinë Socialiste dhe për kandidaturën time si deputet. Bashkë kemi bërë shumë gjëra. Në Vlorë kanë ndodhur shumë ndryshime, por transformimi i Vlorës nuk ka mbaruar. Kjo lagje e Rajonit 4, është shembull i gjallë që vëmendja për këto lagje nuk ka munguar por duhet të jetë edhe më e shtuar. Pikërisht kandidimi im dhe mbështetja për Partinë Socialiste, do të jetë një zë edhe më i fortë për interesat tuaja, për komunitetin tuaj, për të çuar punët përpara. Unë dua të marr mbështetjen masive të qytetarëve të Vlorës, në çdo lagje. Nëse unë do ta marr këtë mbështetje edhe në këtë zonë, do t’ju përfaqësoj dhe do të mbroj interesat e komunitetit tuaj, gjithmonë në lidhje me kërkesat e këtij komuniteti. Në Rajonin 4, kemi konkretizuar shumë punë, si legalizimi i shumë objekteve, kemi adresuar shumë nevoja të komunitetit por procesi nuk ka përfunduar. Unë personalisht, kam bërë shumë për Vlorën. Vite me radhë, këto lagje të Rajonit 4, vuanin mungesën e energjisë elektrike dhe ne i dhamë fund problematikës, si rezultat i reformës energjitike por edhe falë punës sime dhe angazhimit tim në interes të banorëve. Një gjë do ta keni nga unë; atë gjë që kam në dorë, do ta bëj. Të lëvizësh disa gjëra të mëdha, të rëndësishme, duhet të hapësh dyer të mëdha. Unë mendoj se jam një i tillë. E kam treguar ndër vite edhe në betejat e mia. Unë do të vazhdoj ta bëj këtë betejë. E kërkoj votë personale jo thjesht për emrin tim si Damian, por për partinë time, në mënyrë që dhe unë të marr forcën që ma jepni ju, të më jepni atë kreditin politik që unë të kem mundësi t’jua kthej përmes punës dhe angazhimit tim maksimal për ju. Në Vlorë nuk ka zgjedhje tjetër përveç Partisë Socialiste. Mes PS-së, kush e ndien veten kë ka politikanin më të aftë, që mund të hapë dyer në interesa të komunitetit, jepuni votën. Unë mendoj që jam një nga ata për të qenë edhe përfaqësuesi juaj”.