Damian Gjiknuri: Ju nuk merrni dot pushtet me votë, PD-ja drejt shkërmoqjes totale
Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Damian Gjiknuri nga foltorja e Kuvendit, theksoi se pasi PD-ja ka dështuar të marrë mbështetjen me votë nga qytetarët, shpresa e saj e vetme është të bjerë qeveria. Sipas numrit dy në PS, Gjiknuri, PD-ja kërkon që të vijë në pushtet me politikën e ”tokës së djegur”.
”A duhet më shumë? Mbase duhet më shumë, patjetër! Kush tha se nuk ka ndjeshmëri qeveria? Kush është ajo qeveri që nuk ka ndjeshmeri? Problemi është se sa janë mundësitë! Kjo krizë sapo ka filluar. Lexova diçka pak më parë ku parashikimet ndërkombëtare thonin se kriza e sivjetme e ushqimeve mund të vazhdojë dy vjet.
Çfarë do bëjë qeveria, do ngrejë duart? Do rishikojë disa projekte dhe po i rishikon. Kur thoni grup i strukturuar kriminal ju kërkoni që qytetarët ta shohin qeverinë si diçka kriminale. Përse? Në momentin që nuk ke organizatë politike, dështon me protesta, dështon me vote, e vetmja shpresë është të bjerë qeveria.
Pra, synoni të ‘shkërmoqni’ qeverinë në sytë e publikut duke e parë si njësi kriminale apo duke nxitur njerëzit me idenë se kjo qeveri duhet përmbysur. E vetmja shpresë që ka i dëshpëruari është kjo që bëni ju, kërkoni të vini në pushtet me ”tokën e djegur””.
Nisur dhe nga zhvillimet e fundit, Gjiknuri ironizoi edhe lidershipin e PD-së. Ai theksoi se për sa kohë ata nuk mbajnë dot partinë, nuk mund të marrin përsipër drejtimin e shtetit.
“Kishte protestues që ishin të ndjeshëm për efektet e çmimeve përpara se të dilnin masat e qeverisë. Qeveria reagoi dhe protestat u zvogëluan. Ju vajtët ti hidhni ‘karburant’, por ju përzunë sepse jo të gjithë janë për protesta politike. Kur ju sheh ju si alternativë edhe ai që ka pakënaqësi me qeverinë për gjërat që mund të ishin bërë më mirë thotë: më mirë të rrijë Edi Rama në qeverisje sepse i ka dhënë provat. Ju nuk keni kohezion për gjënë më të thjeshtë brenda vetes suaj. Ju nuk mbani dot organizatën tuaj, jo më pastaj të merrni përsipër të drejtoni një shtet. Fatkeqësi është sepse unë do të doja të kishte ekuilibër jeta politike por kjo është e vërteta”.