Damian Gjiknuri padit Pampurin: Çmontimi dje i shpifjeve në Komision, detyroi Lulin të nxjerrë sot folësen e radhës për fabrikuar gënjeshtra

Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Damian Gjiknuri, do të padisë për shpifje deputeten demokrate Orjola Pampuri. Në një reagim në Facebook, deputeti Gjiknuri thotë se seanca e djeshme në Komisionin hetimor çmontoi akuzat dhe shpifjet e fabrikuara nga PD-ja. Gjiknuri thotë se udhëtimet e pretenduara në vitet 2014-2018 janë vizita pune zyrtare dhe në përputhje me praktikën e cila gjendet lehtësisht në institucionin që ai ka drejtuar, ndërsa datat e dy udhëtimeve në 2019 janë pa asnjë lidhje me personat në fjalë, pasi janë udhëtime familjare.

Postimi i plotë

Shpifja prej kohësh është një institucion në PD. Kjo nuk përbën çudi! Çudi është fakti se si institucioni me logo të reja, e avaze të vjetra, nuk heq dorë nga shpifja. Me sa duket, çmontimi dje në Komisionin Hetimor i shpifjeve të fabrikuara nga SHQUP-i, bëri që Luli të nxjerrë sot folësen e radhës për të fabrikuar gënjeshtra. Nga 15 udhëtime që thoshte Gazi i Lulit në tetor, sot dëgjuam nga suflerja e Lulit se qenkan 6. E vërteta nuk mund të fshihet, as nga Lulzim Basha dhe as nga gaztorët e oborrit të tij, që mundohen të shmangin me gënjeshtra dhe shpifje tipike humbësish që dinë veçse “ta bëjmë ditën natë”.

E vërteta është krejt ndryshe dhe këto provohen lehtësisht. Siç e sqarova edhe dje në Komision, udhëtimet e pretenduara në vitet 2014 – 2018 janë vizita pune zyrtare dhe në përputhje me praktikën, e cila gjendet lehtësisht në institucionin që drejtoja. Ndërsa datat e dy udhëtimeve të mia më 2019 janë pa asnjë lidhje me personat në fjalë, pasi janë udhëtime familjare. Transporti që kam zgjedhur është publik dhe me linja komerciale, duke bërë që çdo lidhje rastësore është thjesht ushqim për shpifjen”, thekson Gjiknuri.
Sekretari i Përgjithshëm i PS, thotë se deputetët e opozitës janë kthyer në amplifikatorë të gënjeshtrave të Lulit, ndërsa ky i fundit përdor gratë e partisë për të shpëtuar karrigen e tij.

“Përballja me këto shpifje dhe gënjeshtra do të jetë në gjykatë, pasi “7x 7” qenka kthyer në epidemi në PD. Si në rastin e Lulit dhe Gaztorit të tij, i kam kërkuar avokatit tim që të përgatisë padinë për shpifje ndaj znj. Pampuri. Keqardhje për kolegët e opozitës, që janë kthyer në amplifikatorë të gënjeshtrave të Lulit dhe e turpshme për Lulin që përdor gratë e partisë për të shpëtuar karrigen e tij. Nuk ke shpëtim, pasi ia arrite që PD ta katandisësh si “kokoshi një thelë”.

SHKARKO APP