Damian Gjiknuri: PS është gati për zgjedhje të pjesshme vendore. Brenda 45 ditëve Presidenti të dekretojë datën
Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Damian Gjiknuri deklaron se Partia Socialiste është gati për zgjedhjet e pjesshme vendore.
Në një prononcim për mediat pas mbledhjes së kryesisë së socialistëve, Gjiknuri tha se PS është gati nëse Presidenti Ilir Meta dekreton vendimin e Gjykatës Kushtetuese mbi 30 qershorin.
“Ne gati jemi dhe për zgjedhje të pjesshme vendore nëse Presidenti i dekreton ato pas vendimit të Kushtetueses. Kjo është një çështje që pas zbardhjes së vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe mendoj që ajo nuk ka pse ta vonojë vendimin. Brenda 45 ditëve ai dekreton zgjedhje. Ne jemi gati. PS ka fituar zgjedhje dhe konkuron për të fituar. Partia është fokusi kryesor dhe ajo konkuron në zgjedhje në çdo kohë”,– tha Gjiknuri.
Më tej Gjiknuri foli edhe për ngritjen e komisionit të reformës zgjedhore, ndërsa theksoi se Partia Socialiste është gati të ulet në tryezë me Partinë Demokratike dhe se PS i ka gati propozimet.
“Komisioni i reformës zgjedhore ka qenë mbipartizan, pas marrjes së kërkesës së PD do të ngremë në parlament këtë komision. Ka një nevojë për bashkëpunim. PD dhe PS duhet të jenë pjesë e këtij komisioni. Ne kemi propozimet tona bazuar në rekomandimet e OSBE/ODIHR. Ne e bëmë me PD kur nuk ishin pjesë e parlamentit”, – tha Gjiknuri.