Damian Gjiknuri shkon në Dibër dhe u përcjell dibranëve përshëndetjet e Edi Ramës
PS zhvilloi takimin përmbyllës për zgjedhjet e 6 marsit në mbështetje të kandidatit Rahim Spahiu. Sekretari i Përgjithshëm Damian Gjiknuri u shpreh se vota për Rahim Spahiun dhe për PS është votë për garancinë e zhvillimit të Dibrës.
“Si Sekretar i Përgjithshëm, dua t’ju sjell përshëndetjet e kryeministrit të Shqipërisë, i cili para se të nisesha këtu më tha: Damian dua t’u thuash dibranëve se fitorja në Dibër është gjëja më e rëndësishme që unë kam dhe dua që në 6 mars Dibra ta nderojë Partinë Socialiste dhe djalin e saj Rahimin. Më lejoni ta them përse ka rëndësi kjo! Nga Dibra fillojnë mesazhet e mëdha. Ju e keni vënë re që kundërshtarët tanë, përçarësit, thonë se nga Dibra përmbysim qeverinë. Ju kujtohet edhe në vitin 2016 kur ish aleati ynë, presidenti aktual, dhe Lulzim Basha kryetar i PD-së, vinin këtu e na thoshin se nga Dibra do fillojë përmbysja e madhe.
Çdo dibran me të drejtë pyet: çfarë është Dibra ‘mish për top’ i njerëzve në Tiranë? Jo!
Njëri këtu më tha: Damian dibrani ka një karakteristikë, mençurinë. Pra, dibrani di të orientohet drejt. Në 6 mars ju do të orientoheni drejt. Vota për Rahimin dhe për Partinë Socialiste është votë për garancinë e zhvillimit të Dibrës”, theksoi Gjiknuri.