Damian Gjiknuri takim me Këshillin Rinor të Elbasanit: E ardhmja e të rinjve është këtu
Në Ditën e Rinisë, sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Damian Gjiknuri bashkë me ministren e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi dhe kryebashkiakun e Elbsanit, Gledian Llatja zhvilloi një takim me Këshillin Rinor të qytetit. Gjiknuri tha se Elbasani ka një perspektivë shumë të mirë zhvillimi, ku rinia luan një rol të veçantë.
“Ju jeni aleanca më e sigurtë për të ardhmen.Unë e them gjithmonë, ju e përcaktoni vetë fatin tuaj. Asnjë nga ne nuk mund t’ju këshillojë se çfarë do të bëni në të ardhmen pavarësisht se politikanët flasin gjithmonë për të ardhmen. Detyra jonë është të përgatisim kushtet që ju ta eksploroni vetë të ardhmen tuaj. Dhe këto kushte janë qoftë kushtet që kanë të bëjnë me sportet rekreative, qoftë për mundësitë që kanë të bëjnë me shkollimin dhe gjërat e mira që po bëhen në Elbasan dhe qê kanë dhe vulën e Gledit padiskutim. Ne besojmë te Gledi dhe duam të besojmë tek ai proces i mirë i nisur me këtë Këshill Rinor”, tha Gjiknuri.
Duke risjellë në vëmendjen Ditën e Rinisë, Gjiknuri nënvizoi se nuk është zgjidhja për të rinjtë që të largohen nga vendi. Ai bëri thirrje për më shumë angazhim dhe përfshirje të të rinjve në vendimmarrje.
“Sa më shumë pjesëmarrje juaj në aktivitete shoqërore, kontributi juaj në këto bashkëbisedime që bëjmë pse jo nesër dhe me përfaqësuesit tuaj në këshillin bashkiak apo nesër dhe ata që studiojnë, mbarojnë shkollën të jenë pjesë e Bashkisë Elbasan. Sot është një ditë e shënuar për Shqipërinë sepse të rinj dhe të reja në atë kohë të viteve ‘90 ndryshuan Shqipërinë, ashtu siç ishte. Një valë në të gjithë Evropën, një valë që rrëzoi perden e hekurt dhe qenë të rinjtë ata që kishin energji, kishin shpresa të reja, nuk besonin më te ai sistem dhe kërkonin ndryshimin. Po ka shumë të rinj sot që bëjnë të njëjtën gjë dhe nuk është rrugë ikja. Se vërtet ka dhe të rinj që ikin, ky është një fenomen që ndodh në të gjithë lindjen, nuk ndodh vetëm në Shqipëri. Përgjithësisht njerëzit me lëvizjen e re, me globalizimin kanë tendencën të lëvizin aty ku është më mirë. Por nuk ka si vendi juaj”, tha ai.