DASH: Pavarësia e gjyqësorit, kufizimi i shprehjes së lirë, korrupsioni, pandëshkueshmëria janë problemet kryesore në Shqipëri

Nga: Zëri i Amerikës

Departamenti Amerikan i Shtetit thotë se çështjet kryesore lidhur me të drejtat e njeriut në Shqipëri gjatë vitit 2021 ishin “problemet me pavarësinë e gjyqësorit ndërsa vazhdobte procesi i vetingut; kufizimet e lirisë së shprehjes dhe shtypit; dhe korrupsioni i përhapur në të gjitha degët e qeverisë dhe institucionet komunale”. Këto përfundime përfshihen në raportin e përvitshëm të Departamentit të Shtetit për të drejtat e njeriut në botë.

“Mosndëshkimi mbeti një problem, megjithëse Organi i Specializuar për Antikorrupsionin dhe gjykatat antikorrupsion bënë përparim të rëndësishëm gjatë vitit në hetimin, ndjekjen penale dhe dënimin e zyrtarëve të lartë dhe krimit të organizuar”, thuhet në raport.

Raporti thotë se Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë arriti në përfundimin se zgjedhjet e 25 prillit ishin të organizuara mirë, votuesit kishin alternativa mes kandidatëve që ishin në gjendje të bënin fushatë lirisht dhe se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i menaxhoi në mënyrë adekuate detyrimet e tij.

“Megjithatë raporti i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, theksoi disa mangësi, duke përfshirë blerjen e votave, rrjedhjen e të dhënave të ndjeshme personale dhe avantazhin e konsiderueshëm të fituar nga partia në pushtet për shkak të të qenit në pushtet”, thuhet në raportin e Departamentit të Shtetit.

Korrupsioni dhe mungesa e transparencës në qeveri

Departamenti i Shtetit thotë se qeveria nuk e zbatoi në mënyrë efektive legjislacionin që parashikon dënime penale për korrupsion nga zyrtarët publikë dhe ndalon individët me dënime penale të shërbejnë si kryetarë bashkie, deputetë ose në poste qeveritare ose shtetërore. “Korrupsioni ishte i përhapur në të gjitha degët e qeverisë dhe zyrtarët shpesh u përfshinë në praktika korruptive pa u ndëshkuar”, thotë raporti.

Raporti përmend se deri në shtator u hapën hetime dhe u ngritën akuza nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ndaj disa zyrtarëve publikë, përfshirë ish-ministra, kryetarë bashkie, gjyqtarë dhe prokurorë në detyrë, ish-gjyqtarë dhe gjyqtarë të Dhomës së Apelit të Vettingut të Gjykatës Kushtetuese, ish-gjyqtarë të Gjykatës së Lartë dhe zyrtarë të pushtetit ekzekutiv. Që nga shtatori, një gjyqtar, dy prokurorë, një kryetar komune dhe ish-drejtori i prokurimit në Ministrinë e Brendshme u paditën për shpërdorim detyre ose akuza për korrupsion.

Departamenti i Shtetit thotë se megjithëse disa agjenci qeveritare hetuan rastet e korrupsionit, burimet e kufizuara, rrjedhjet hetimore, presioni real dhe i perceptuar politik dhe një sistem emërimi i paorganizuar mirë, i penguan hetimet. “Ndërsa prokurorët bënë përparim të rëndësishëm në ndjekjen e rasteve të korrupsionit publik të nivelit të ulët dhe të mesëm, shkalla e ndjekjes penale për zyrtarët e rangut të lartë mbeti e ulët”, thuhet në raport.

Departamenti nënvizon se edhe korrupsioni në polici vazhdoi të përbënte problem. “Policia nuk e ka zbatuar gjithmonë ligjin në mënyrë të barabartë. Lidhjet personale, politike ose kriminale, infrastruktura e mangët, mungesa e pajisjeve dhe mbikqyrja e pamjaftueshme shpesh patën pasoja në zbatimin e ligjit”, thotë raporti.

Departamenti i Shtetit thotë se autoritetet vazhduan t’i adresojnë këto probleme duke përmirësuar objektet e policisë, automjetet dhe duke theksuar publikisht masat kundër korrupsionit. Po ashtu qeveria krijoi një sistem për verifikimin e zyrtarëve të sigurisë.

Sipas raportit, organizatat vendase dhe ndërkombëtare të të drejtave të njeriut në përgjithësi vepronin pa kufizime nga qeveria, duke hetuar dhe publikuar gjetjet e tyre mbi rastet e të drejtave të njeriut. Zyrtarët qeveritarë në përgjithësi ishin bashkëpunues dhe të përgjegjshëm ndaj pikëpamjeve të tyre.

Sistemi i drejtësisë

“Megjithëse kushtetuta parashikon një gjyqësor të pavarur, presioni politik, frikësimi, korrupsioni dhe burimet e kufizuara e penguan gjyqësorin të funksiononte plotësisht, në mënyrë të pavarur dhe efikase”, thekson raporti. Seancat gjyqësore ishin përgjithësisht të hapura për publikun, përveç nëse kufizimet e COVID-19 nuk i lejonin gazetarët ose publikun të hynin në ambientet e gjykatës.

Departamenti i Shtetit thotë se qeveria vazhdoi procesin e monitoruar ndërkombëtarisht për verifikimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe për shkarkimin e personave me pasuri të pajustifikueshme ose lidhje me krimin e organizuar. Raporti përmend problemet e krijuara nga mungesa e plotësimit të Gjykatës së Lartë me numrin e duhur të gjykatësve, duke vënë në dukje se deri më 31 korrik, Gjykata e Lartë kishte një numër të madh prej 36,608 çështjesh të prapambetura në pritje gjykimi.

“Politizimi i emërimeve të kaluara në Gjykatën e Lartë dhe Gjykatën Kushtetuese herë pas here kërcënoi të minonte pavarësinë dhe integritetin e këtyre institucioneve”, thuhet në raport. Zbatimi i dispozitave të reformës në drejtësi çoi në një pauzë në proceset normale gjyqësore ndërsa punohej për ngritjen e organeve të pavarura disiplinore.

“Ndërsa individët dhe organizatat mund të kërkojnë instrumenta juridike civile për shkeljet e të drejtave të njeriut, janë raportuar raste të korrupsionit gjyqësor, joefikasitetit, frikësimit dhe ndërhyrjes politike, thotë raporti. Raporti vë gjithashtu në dukje se ish-të persekutuarit politike gjatë regjimit komunist vazhduan të bënin kërkesa ndaj qeverisë për dëmshpërblim.

“Qeveria nuk ka bërë përparim në lëvrimin e kompensimeve gjatë vitit. Instituti për Aktivizëm dhe Ndryshime Shoqërore dhe Autoriteti për Informim mbi Dosjet e Ish-Sigurimit të Shtetit (Sigurimi) ngritën shqetësime në lidhje me rastet e pazgjidhura të personave të zhdukur që datojnë nga ish-regjimi komunist”, thotë raporti. Po ashtu problem mbetet e drejta e pronës, veçanërisht procesi i zgjatur i kompensimit dhe nivelet e ulëta të kompensimit për pronën e shpronësuar. Raporti thekson se megjithëse Kushtetuta dhe ligjet ndalojnë ndërhyrje arbitrare ose të paligjshme në privatësi, familje, shtëpi ose korrespondencë, ka pasur njoftime se qeveria nuk i respektoi ato ndalime.

“Gjatë fushatës së zgjedhjeve parlamentare të vitit, u bë e njohur se një bazë të dhënash me informacionin personal dhe detajet e kontakteve të rreth 900,000 qytetarëve, si dhe preferencat e tyre të mundshme partiake, u bënë publike, duke i ekspozuar votuesit ndaj presionit të mundshëm”, thotë raporti, duke shtuar se SPAK-u ka nisur një hetim penal.

Respektimi i Lirive Civile dhe Liria e Medias

Ka pasur raporte se qeveria, bizneset dhe grupet kriminale u përpoqën të ndikonin në media në mënyra të papërshtatshme. Raporti thotë se mediat e pavarura ishin aktive dhe shprehnin një shumëllojshmëri të gjerë pikëpamjesh, por shton se pati përpjekje për të ushtruar presion të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë politik dhe ekonomik mbi median, përfshirë kërcënimet dhe dhunën ndaj gazetarëve që u përpoqën të hetonin krimin dhe korrupsionin.

Një nga problemet kryesore që përmenden në raport është fakti që pronarët e bizneseve i përdornin lirisht mediat e tyre për të siguruar favore dhe për të çuar përpara interesat e tyre me (mbështetjen) e partive politike. “Shumica e pronarëve të stacioneve televizive private përdorën përmbajtjen e transmetimeve të tyre për të ndikuar në veprimet e qeverisë ndaj bizneseve të tyre të tjera. Pati njoftime të besueshme se përfaqësues të lartë të medias përdorën organet e mediave për të ushtruan shantazh ndaj bizneseve duke i kërcënuar me mbulim negative”, thotë raporti.

“Presioni politik, korrupsioni dhe mungesa e fondeve kufizuan median e pavarur të shkruar dhe gazetarët sipas njoftimeve u angazhuan në autocensurë”, vazhdon raporti. Për më tej, pasiguria ekonomike për shkak të mungesës së kontratave të punës gërreu pavarësinë e gazetarëve dhe kontribuoi në njëanshmërinë e mbulimit. Sindikata e Gazetarëve Shqiptarë vazhdoi të raportonte vonesa të konsiderueshme në pagesat e pagave për gazetarët në shumë media. Sipas sindikatës së gazetarëve, pandemia i përkeqësoi këto vonesa. Problemet financiare bënë që disa gazetarë të mbështeteshin më shumë në burimet e jashtme të të ardhurave, duke çuar në pyetje në lidhje me integritetin e raportimit të tyre.

Organizatat jo-qeveritare gjithashtu shprehën shqetësimin se etika profesionale ishte një prioritet i ulët për disa prej mbi 900 portalet e lajmeve në vend, duke ngritur shqetësime mbi përhapjen e lajmeve të rreme që u shërbenin “interesave të veçanta financiare, politike dhe kriminale. Rritja dramatike në mediat online ofroi një larmi pikëpamjesh si dhe mundësi për korrupsion”. Po ashtu Sindikata e Gazetarëve shprehu shqetësimin për presionin ndaj gazetarëve nga interest e politikës dhe biznesit, si edhe rastet e dhunës ndaj tyre.

“Para zgjedhjeve parlamentare të prillit, organet e medias dhe shoqatat e gazetarëve u ankuan për mungesën e qasjes të pavarur të medias në takimet e fushatës të mbajtura nga partitë politike, të cilat preferuan t’u ofronin mediave përmbajtjen e tyre të redaktuar nga partia”, thotë raporti. Po ashtu organizatat ngrenë shqetësime për paditë për shpifje ndaj gazetarëve dhe gjobat e larta dhe dosjet penale ndaj gazetarëve si rrjedhojë e këtyre padive, minuan lirinë e shprehjes. Po ashtu raporti përmend problemet me paketën kundër shpifjes, e cila pas kritikave, debateve dhe opinionit të Komisionit të Venecias që e gjeti atë problematik, mbeti pezull.

Raporti detajon gjithashtu problemet me liritë individuale të njeriut, përfshirë vrasjen e të riut që ishte në shkelje të orës policore në dhjetor 2019, burgjet e mbipopulluara dhe kujdesin e pamjaftueshëm për të burgosurit, dhuna ndaj gruas dhe në familje e keqësuar gjatë pandemisë, dhe diskrimimi për shkak të orientimit seksual dhe identitetit gjinor.

SHKARKO APP