Data për zgjedhjet në 2025, presidenti Begaj: Kam nisur një proces intensiv konsultash

Partitë politike kanë nisur prej kohësh punën për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 2025.

Presidenti Bajram Begaj nisi këtë të mërkurë procesin konsultativ për datën, dhe të parët që ftoi në zyrë ishin krerët e partive të vogla të cilët shihnin si më të volitshme datën 4 maj për realizmin e votimit. Vetë kreu i shtetit përmes një postimi në Facebook, shkruan se dekretimi i datës së zgjedhjeve shënon fillimin e një procesi intensiv konsultash.

Edhe për vendoret e vitit 2023, Presidenti thirri në konsultë Rithemelimin e Berishës që në atë kohë ishte një realitet de facto politik, por ende jo de jure. Krahas Bashës, Presidenti do të presë edhe Alibeaj që deri më tani, partinë e ka njoftuar në media por pa e regjistruar në gjykatë. Të hënën është radha e të mëdhenjve të politikës, socialistët dhe demokratët.

Postimi i plotë nga Kreu i Shtetit

Legjislaturës X të Kuvendit po i afrohet fundit dhe koha që pushteti të kthehet te zgjedhësit po afron. Ky pushtet i zgjedhësve nuk duhet të reduktohet vetëm në një datë kalendarike që Presidenti i Republikës e cakton për shqiptarët me qëllimin që ata të shprehin vullnetin e tyre. Dekretimi i datës së zgjedhjeve duhet të shënojë fillimin e një procesi intensiv konsultash dhe llogaridhënie për të gjithë aktorët politikë, qeveritarë e opozitarë.

Ky proces thelbësor për demokracinë duhet të shndërrohet në shfaqje të mirëfilltë pjesëmarrjeje dhe angazhimi qytetar. Diskutimi i çiltër, i përgjegjshëm, serioz dhe vizionar, duhet të shoqërojë çdo hap të komunikimit të politikanëve me zgjedhësit. Vullneti politik i zgjedhësve duhet të ngjizet bazuar në debatin e hapur, transparent e konstruktiv, në ballafaqimin civil të alternativave, dhe jo në keqpërdorim të pushtetit administrativ dhe atij zgjedhor, apo në oferta elektorale të paligjshme.

Një proces i drejtë elektoral ka hap të parë caktimin e datës së zgjedhjeve, duke u nisur nga interesi më i mirë i zgjedhësve, duke peshuar me paanësi argumentet pro dhe kundër secilës alternativë dhe duke tërhequr në vendimmarrje zërin e një spektri të gjerë aktorësh politikë e institucionalë. Këtij qëllimi i shërben më së miri konsulta e nisur sot, me shpresën dhe urimin që palët e thirrura në konsultë do ta mirëpresin atë me të njëjtin seriozitet, respekt dhe përgjegjshmëri, me të cilën janë ftuar të bëhen pjesë me opinionet dhe sugjerimet e tyre.

SHKARKO APP