Debat në Komision, Spahiu-Vokshit: Ke 3 vjet që ke zënë ekranet. Vokshi: Qenke e sëmurë

Dje në komisionet parlamentare, kanë dështuar dy dëgjesa. Njëra prej tyre, e cila u shoqërua edhe me përplasje mes deputetëve pjesë e Komisionit të Shëndetësisë, ku ishte ftuar ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj. Arsyeja e thirrjes së ministrit, ishte për të raportuar lidhur me kontratën e koncesionit të check up-it. Por nga ana e tij, ministri kishte kërkuar më shumë kohë në dispozicion për shkak të angazhimeve të tij.

Kjo gjë nuk është mirëkuptuar nga Kryetarja e Komisionit të Shëndetësisë, Albana Vokshi,  e cila e quajti mungesën e ministrit si shkelje të Kushtetutës.

“Kemi një shkelje të hapur të Kushtetutës, e cila bazohet në parimin kontrollo dhe balanco pushtetet. Unë në opinionin tim jam shumë e keqardhur për mungesën e ministrit, i cili nuk duhet të ketë frikë. Duhej të ishte këtu dhe të shpjegojë për paratë e check upit. Pse ministri nuk guxon të vijë të raportojë? Çfarë fshihet pas check up-it të famshëm? Ku po shkojnë taksat e qytetarëve? Jam interesuar për axhendën e ministrit dhe kishte vetëm mbledhje qeverie”, tha dje Vokshi.

Swiss Digital Desktop Reklama

Kjo deklaratë e kryetares së komisionit, u pa si një provokim nga deputetja e PS-së, Klodiana Spahiu, e cila ka përfituar për të debatuar me Vokshin.

Swiss Digital Mobile Reklama

REPLIKAT VOKSHI-SPAHIU

Albana Vokshi: Vendimi është marrë dhe nuk gjendet as me një faqe. Nuk mundet të miratohet vetëm një VKM pa një studim. Mos mbroni atë që s’duhet mbrojtur se jeni dhe mjek…

Eduard Bejko: Unë jam deputet këtu. Dhe mos bëni interpretime politike, pse duhet të flasim ne pa pasur ministrin përballë.

Albana Vokshi: Ato para që duhet të shkojnë në shëndetësi për të shpëtuar jetë, nuk duhet të shkojnë në xhepat e shokëve të ministrit. I kemi kërkuar ministrit të na japë informacionin për check up-in dhe ka refuzuar…

Eduard Bejko: Po ka arsye objektive që nuk ka ardhur. Po përgatiten.

Klodiana Spahiu: Moj zonja kryetare, po qetësohuni…

Albana Vokshi: Mos më ndërprit. Është e turpshme ajo që keni bërë. Në një ditë keni censuruar dy dëgjesa, një për Sharrën dhe vrasjen e një 17-vjeçari, dhe dëgjesën për check up-in që bën fjalë për miliona euro që duhej të shkonin për të kuruar të sëmurët.

Klodiana Spahiu: Po sa herë që ka kamera axhitohesh, moj e dashur. Qetësohu, të lutem. Ke 3 vjet që ke zënë ekranet…

Albana Vokshi: E ke shqetësim ti që dal unë në ekran?

Klodiana Spahiu: Unë kënaqem kur del ti dhe flet… Seanca do të zhvillohet javën tjetër.

Albana Vokshi: Nuk e përcakton qeveria axhendën e Parlamentit, a keni dinjitet ju apo jo…? Jeni dhe mjekë.

Klodiana Spahiu: Krimin po e bën ti që s’i lejon njerëzit të bëjnë kontrolle. Ti po bën krim.

Albana Vokshi: Ti qenke sëmurë. Shko bëj check up-in të lutem.

Klodiana Spahiu: Ti je njeriu i vetëm në Republikë që u thua njerëzve mos bëni check up-et. Do të të vrasë ndërgjegjja.

Albana Vokshi: E tha kryeministri që ka dalë burri me barrë, e ka pranuar vetë kryeministri. Janë në stres, tha, dhe mund të dalin burrat shtatzënë.

Klodiana Spahiu: Këto janë paturpësi që i bëni vetëm nga injoranca.

Albana Vokshi: Është turp që kanë 2 vjet që kanë bërë analizat dhe s’kanë marrë përgjigjen e mamografisë. Ato gra mund të kenë vdekur në dy vite. Klodi, i mbarove detyrat që të ka dhënë Beqaj dhe Rama. Hesht tani.

Klodiana Spahiu: Moj zemra ime, ty ti jep detyrat Lul Basha. Unë s’kam nevojë fare të bëj politikë, se më njohin të gjithë se çfarë di të bëj. Mua s’m’i jep detyrat as Edi Rama, as Ilir Beqaj… Ti e ke betejë personale me Ilir Beqajn.

Albana Vokshi: Pse kështu ta tha Iliri ty?! Të thërras ndonjë ministër tjetër unë të flas për check up-in?!

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kë do të votonit si kandidat për kryebashkiak në Tiranë?