Debate edhe në Komisionin për Çështjet Evropiane, Tabaku: Ambasadorët nuk duhet të marrin pjesë në fushatë elektorale
Kryetarja e Komisionit për Çështjet Evropiane, Jorida Tabaku, është përfshirë në një debat me ministrin e Jashtëm, Igli Hasani.
Sot u shqyrtua në parim projektligji “Për Buxhetin e vitit 2025”, parashikuar për Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme, për procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Tabaku tha se ambasadorët kanë marrë pjesë në takime elektorale të Ramës.
Ministri Hasani theksoi se takimet e tilla nuk kanë qenë elektorale por për një takim i kryeministrit me diasporën.
Tabaku: A ka një koment Ministria e Jashtme lidhur me përfshirjen e ambasadorëve në fushatën elektorale dhe në procesin elektoral të kryeministrit Edi Rama?
Hasani: Nuk jemi në fushatë elektorale, hapet më vonë, s’ka pas aktivitet partiak apo politik. Kanë qenë takimet e kryeministrit me përfaqësues të diasporës, në vendet e BE apo SHBA dhe Angli, por s’është përdorur parullë, postera apo batuta politike dhe thirrje. Kanë qenë takime me diasporën, për të ardhmen, Europën, progresin dhe të mirat për shqiptarët. Për asnjë moment s’është folur për pjesë programi partiak. Ata kanë shoqëruar kryeministrin dhe kanë detyrim si ambasadorë. Nuk jemi në fushatë elektorale. Ju e dini më mirë se unë fushata hapet shumë më vonë. Së dyti për asnjë moment nuk ka pasur takim partiak apo politik, por kanë qenë takime të kryeministrit me përfaqësues të diasporës në qytete të rëndësishme nëpër botë.
Tabaku: Përfaqësuesit e trupit diplomatike nuk duhet të marrin pjesë në ato takime.
Hasani: Mund të vini dhe ju. Hajdeni dhe ju.
Tabaku: Ka një cak që nuk duhet kaluar. Përfaqësuesit diplomatikë nuk mund të marrin pjesë në aktivitete partiake. Kalon cakun kur flitet 25 minuta për kundërshtarin.