Debate në Komisionin e Ligjeve, Bylykbashi kërkon dekretin që Meta e firmosi nga Stambolli
Përfaqësuesi i PD-së Oerd Bylykbashi, e ka quajtur antikushtetuese kandidaturën e Bajram Begajt për postin e presidentit, i cili deri sot mbante postin e kreut të Forcave të Armatosura në Republikën e Shqipërisë.
Deputeti kërkoi që të administronte dekretin për lirimin nga detyra të Begajt, që Ilir Meta e firmosi sot nga Stambolli.
“Unë dua që të kem këtu dekretin e presidentit Meta, a mund ta kem?“, pyeti Bylykbashi.
“Praktika e çdo dokumentacioni mund tiu vihet në dispozicion, sekretaria të shpërndajë kopjen e shkresave që kërkon zoti Bylykbashi”, tha Bushka.
‘Nuk është një shqyrtim që mund ta bëjë sekretaria, duhet të jemi ne që të konstatojmë kushtetutshmërinë e kandidatit. Është detyrë e jona mbi të gjitha këto, është që nëse kandidatura ka ndalesa. Presidenti i Republikës, në momentin e kandidimit duhet të jetë i lirë nga çdo detyrë ushtarake. Nuk ka dokument që e vërteton dekretin e presidentit.
Kemi bërë një ndarje të qartë mes pushtetit civil dhe ushtarak, asnjë ushatarak nuk mund të marrë detyra mbi administratën shtetërore. Është parim themelor, fakti që kryeministri i Republikës, e ka kthyer procesin e emërimit të presidentit, si një prestigjator, që e nxjerr në orët e fundit, nuk i bën nder as vetë kandidatit.
Kushtetuta jo më kot jep kohë 7 ditë nga njëri raund në tjetrin, ky kandidat deri sot ka qenë në krye të Forcave të Armatosura. Mund ta kishit bërë ndryshe, dëgjoni dhe njëherë, këtu po flasim për presidentin e Republikës, nuk po e bëjmë sikur thjesht do nxjerrim në fotografi njërin te muri.
Është zgjedhja që ka bërë kryeministri, dhe u turrët ju për të grumbulluar 37 firma, dekreti nuk e shëndosh këtë situatë antikushtetutshmërie, parimi që kërkon kushtetuta është i qartë”, u shpreh më tej Bylykbashi.