Debate në Kuvend, Rama vonohet, PD: Nuk fillojmë seancën pa kryeministrin, të vijë të japë llogari
E paralajmëruar rreth dy javë më parë, në seancën e sotme parlamentare po zhvillohet mocioni me debat me kryeministrin Edi Rama.
Debati është kërkuar nga PD-ja lidhur me çështjen e heqjes nga skema e ndihmës ekonomike të mbi 20 mijë familjeve të varfra në gjithë vendin, e cila pretendon që janë hequr pa të drejtë.
Por vonesa në mbërritjen në seancë plenare e kryeministrit është bërë shkak i shtyrje së saj me disa minuta.
Kreu i grupit parlamentar demokrat Edmond Spaho i kërkoi kryeparlamentarit Gramoz Ruçi që ët thërrasë urgjentisht kreun e Qeverisë që të vijë në Kuvend dhe të japë shpjegime lidhur me situatën e krijuar nga heqja e ndihmës ekonomike për disa familje në vend.
“Këtu nuk kemi kryeministrin. Si mund të fillojmë debatin, të parashtrojmë çështjet për sa kohë personi që duhet të na japë përgjigjet dhe që është kryeministri nuk ndodhet në sallë. Kështu që ju sugjeroj të ndërprisni seancën, të lajmëroni kryeministrin të vijë këtu dhe pastaj të fillojmë sipas rregullave”, tha kreu i grupit parlamentar të PD-së Edmond Spaho.
Në përgjigje të kësaj kërkese, Ruçi informoi deputetët që vonesa e kryeministrit Rama kishte të bënte me një takim që ai po zhvillonte këtë mëngjes me ministrat e Kroacisë.
“Siç e dini kryeministri është shumë korrekt me orarin e fillimit të seancave në tërësi. Kërkesa juaj është normale, por duhet të dini që është duke mbërritur kryeministri sepse është në një takim me ministren e jashtme të Kroacisë. Është në përfundim, punë minutash është kështu që…Prezantimi i bëhet seancës. Megjithatë nëse ju dëshiron. Pa merak, mos kini merakun e kryeministrin se këtu do ta keni. Presim zoti Spaho, mos u shqetëso fare”, tha Ruçi.
Por pavarësisht arsyes së dhënë, Spaho këmbënguli që nuk do fillojë seanca pa praninë e kryeministrit në sallë.
Pas këtij debati, seanca u ndërpre për disa minuta, për të rifilluar pikërisht në këto momente ku fjalën tashmë në Kuvedn e ka marrë kreu i ligjvënësve të PD-së, Edmond Spaho i cili po paraqet raportin mbi situatën e krijuar nga skema e re e aplikuar nga qeveria për ndihmën ekonomike.
Partia Demokratike e cilëson kriminal dhe të papërgjegjshëm aktin e përjashtimit të mbi 20 mijë familjeve në nevojë, duke i lënë në mëshirën e fatit, pa u dhënë asnjë sqarim dhe duke u hequr të drejtën kushtetuese, të përcaktuar në nenin 52.
Ndërkohë, Spaho ka ngritur në foltoren e Kuvendit, shqetësimin e PD për numrin e madh të familjeve që po përballen me varfërinë e madhe në të gjithë vendin.
KOHA JONË SONDAZH

