Debatet me dyer të mbyllura, Bylykbashi: Komisioni i Reformës ka funksionuar si Komision Hetimor

Socialistët vërejtje ekspertëve amerikanë të OPDAT-it për negociatat me PD-në për draftin final të ligjit të SPAK-ut

Herion Mesi

Ligji për Strukturën e Posaçme Antikorrupsion (SPAK) që u miratua me unanimitet të plotë të enjten nga Kuvendi ka shkaktuar jo pak debate në komisionin e posaçëm parlamentar për reformën në drejtësi gjatë shqyrtimit të tij. Por pjesa që ka shkaktuar nervozizëm tek të dyja palët duket se kanë qenë negociatat që opozita bëri me ekspertët amerikanë të OPDAT-it, të cilët pranuan sugjerimet e Partisë demokratike për mënyrën se si do të organizohen dhe funksionojnë institucionet që do të luftojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar në vend. Një debat i tillë është zhvilluar edhe në mbledhjen e 15 shtatorit me dyer të mbyllura që komisioni do të zhvillonte, ku kryetari socialist Fatmir Xhafaj do të shprehte rezervat e tij për takimet mes kreut të misionit të OPDAT-it Jon Simbert dhe përfaqësuesve të PD-së të kryesuar nga nënkryetari i Komisionit Oerd Bylkbashi, duke i sjellë komisionit në momentet e fundit një draft-amendim të ligjit. Për Xhafajn do të ishte më korrekte që shqyrtimi i projektligjeve të bëhej brenda komisionit, dhe jo jashtë tij. Por për deputetin e PD-së, Oerd Bylykbashi, Komisioni Ad-Hoc i cili është ngritur për të realizuar një produkt konsensual ka dështuar në misionin e tij për një reformë në drejtësi konsensuale dhe kjo sipas Bylykbashit ka ndodhur sepse Komisioni i Reformës ka funksionuar si komision hetimor parlamentar dhe jo si një Komision Ad-Hoc.

Swiss Digital Desktop Reklama

Debatet në komision

Swiss Digital Mobile Reklama

Fatmir Xhafaj –Para fillimit të mbledhjes, dua të them dy gjëra: E para, vonesa e mbledhjes 40 minuta është për shkak se sapo ka ardhur opinioni dhe disa amendamente të paraqitura nga kolegu i opozitës, zoti Bylykbashi dhe u shumëfishuan për të gjithë deputetët, që edhe ne të kemi një pamje më të plotë për shkak të kohës shumë të shkurtër në dispozicion, sepse amendamentet kanë ardhur në e-mail-in e komisionit sot në mëngjes.

Së dyti, dëshiroj t’iu them zotit Bylykbashi dhe kolegëve që do të ishte më korrekte që përpara se amendamentet e PD-së t’i shohim me titra në televizionin “Nevvs 24” dhe në kanale të tjera televizive t’i kemi ne në dispozicion. Në këtë kontekst, dua të them një gjë të rëndësishme, në të mirë të procesit dhe të qëllimit që ka zoti Bylykbashi dhe cilido prej kolegëve të tjerë, do të ishte e udhës që amendamente të kësaj natyre, që kërkojnë kohë për t’u njohur dhe për të reflektuar, të ishin vënë në dispozicion për komisionin të paktën 24 orë përpara. Duhej një kohë më e gjatë që të reflektonin anëtarët e komisionit, në mënyrë të veçantë relatori dhe ekspertët. Unë e mirëkuptoj faktin që ekspertët e njohin, janë në dijeni, sepse dje pasdite ju jeni takuar me ekspertët e OPDAT-it, por takimet, që mund të bëhen jashtë komisionit, janë takime të tjera dhe dihet që takimet e tjera, në kuadër të punës së komisionit, janë një gjë tjetër dhe janë funksion të tij. Ajo që na intereson të gjithëve është që, të paktën për projektligjet e tjera, edhe në respekt të atij kalendari, do ta quaja të mirëkuptuar ndërmjet nesh, të vendosim që amendamentet t’i kemi 24 orë përpara për ta çuar punën përpara, të paktën relatorët duhet t’i kenë në dispozicion, në funksion të organizimit sa më të mirë të mbledhjes.

Oerd Bylykbashi – Zoti kryetar, unë e thashë edhe dje që mbarëvajtja e punës së këtij komisioni, vetëm mbarëvajtje ndoshta nuk ka qenë dhe do të mbahet mend si një nga komisionet, në mos i vetmi, e rrallë Ad Hoc, që marrin përsipër të bëjnë një punë konsensuale. Ai ka funksionuar keq, në mënyrë të ngjashme me komisionet hetimore. Kjo ka lidhje edhe më mënyrën sesi ne e ndërtojmë punën me njëri-tjetrin, duke përfshirë edhe batutat apo komentet që bëjmë me mikrofon për të treguar respekt për njëri-tjetrin. Sigurisht që ne e kemi thënë fjalën tonë dhe e kemi të pastër ndërgjegjen, por ky parlament ky komision dhe të gjithë ata që e kanë drejtuar procesin në këtë formë, me këtë lloj kapaciteti dhe me këtë lloj patejdukshmërie dhe mungese transparence që ka pasur në punën e tij dhe në mënyrën sesi një pjesë e komisionit dhe ekspertiza kanë funksionuar së bashku dhe pjesa tjetër është lënë jashtë. Është unik dhe do të quhet “modeli si për të mos e bërë një punë të tillë”. Mua më vjen keq dhe besoj të gjithë përfaqësuesve të opozitës që jemi përpara një procesi ku ligje kaq të rëndësishme duhet të miratohen me një nxitim të jashtëzakonshëm. E keni ndërtuar kështu procesin, do ta çoni kështu deri në fund, por pasojat do t’i vuajnë të gjithë. Më pas njerëzit do të tregojnë me gisht se cilët ishin përgjegjësit.

Fatmir Xhafaj – Fillojmë me shqyrtimin e projektligjit. Relator është zoti Manja, i cili do ta ndjekë procesin në vijimësi edhe gjatë shqyrtimit nen për nen.

Oerd Bylykbashi – Zoti kryetar, duke ndjekur edhe përvojën e mbledhjes tjetër të komisionit, unë do të ftoj zotin Bardhi të jetë i pranishëm në momentin e prezantimit të amendamenteve tona, kur të bëhet shqyrtimi nen për nen.

(Pandeli Majko ndërhyn pa mikrofon)

Këto janë amendamentet që ne propozojmë këtu. Ky është një proces i këtij komisioni dhe nuk është juaji, zoti Majko. Ju bëni punën e relatorit. Ne kemi këtu ekspertët, të cilët do të na thonë “po”, ose “jo”, por ne kemi gjithashtu edhe ekspertë që kanë punuar dhe kanë bërë amendamente.

(Pandeli Majko ndërhyn sërish pa mikrofon)

Më fal, zoti Majko, thatë që nuk kanë status?! Kush jeni ju që përcaktoni statusin e ekspertëve?

Fatmir Xhafaj – A ka mundësi të mos bësh replikë, por të thuash atë që ke ndër mend të thuash?! Zoti Bylykbashi, ne e pranuam edhe herën e kaluar që ta bënte parashtresën zoti Bardhi. Edhe dje amendamentet u paraqiten nga zoti Vasili dhe nga zonja Hysi, pra i paraqitën deputetët dhe nuk sollën ekspertët e tyre.

(Ndërhyrje pa mikrofon.)

Zoti Bylykbashi, edhe një herë, që të jemi korrektë, sepse nuk doja të bëja replikë as me ju për këtë gjë, sepse folët për rregullsinë e komisioneve, pra që ky komision do të mbahej mend. Po, do të mbahet mend edhe për këto gjëra. Çfarë rëndësie ka? E rëndësishme është që ne të bëjmë procesin dhe të ecim përpara. Nuk e konsideroj thelbësore këtë gjë.

Oerd Bylykbashi – Zoti kryetar, kursejani vetes dhe bëjini këto komente jashtë mbledhjes. Edhe diçka, verifiko se nga të ka dalë kjo puna te “Nevvs 24”, sepse nga ne nuk ka dalë.

Fatmir Xhafaj – Nuk ka ndonjë gjë të keqe, por të m’i kishit sjellë edhe mua.

Jon Smibert – (flet përkthyesja) Zoti kryetar, doja të bëj  një ndërhyrje dhe të thosha që pala jonë i mori amendamentet dhe qëndrimin e opozitës dje dhe i shqyrtuam ato bashkë me zonjën Bumçi. Kemi përgatitur disa dispozita, disa ndryshime në gjuhën shqipe. I kemi bërë gati. Në qoftë se doni, mund t’jua shpërndajmë tani. Gjithashtu, u takuam me anëtarët e komisionit në mëngjes, përpara se të niste takimi, kështu që janë edhe disa ndryshime të tjera në këto dispozita që i kemi përgatitur në shqip, tashmë, të cilat mund t’i diskutojmë gjatë rrugës.

Fatmir Xhafaj – Faleminderit! Kam një vërejtje për ju: shqyrtimi i projektligjeve bëhet në komision dhe jo jashtë tij. Unë nuk kam gjë, përkundrazi, e konsideroj pozitive të ketë shkëmbime mendimesh për draftet në funksion të punës në komision, por do të ishte korrekte, si për kolegët që propozojnë amendamentet, edhe për ju që, të paktën t’i sillnit një ditë më parë amendamentet në komision dhe do të ishte edhe më korrekte që për këtë çështje minimalisht të ishte i pranishëm edhe relatori që të kishte mundësi të reflektonte në kohë. Gjithsesi, do të dëgjojmë prezantimin e amendamenteve të zotit Bylykbashi, pra prezantimin që do ta bëjë zoti Bardhi, eksperti i grupit parlamentar të PD-së, ndërkohë që do t’ju lutem që amendamentet që keni përgatitur në shqip, në reflektim të takimeve të mëparshme me Partinë Demokratike t’jua shpërndani kolegëve të komisionit, që të njihen, të kenë kohën e mjaftueshme për t’i parë.

Petrit Vasili – Ne vërtet kemi hyrë në një proces, por unë them një gjë: ne besoj se nuk kemi ndonjë nevojë si komision për një paraqitje integrale të kurrkujt, as të zotit Bardhi, madje edhe të zotit Manja. Ne kemi këtu një çështje konkrete. Në tavolinë kemi një seri amendamentesh të paraqitura nga Partia Demokratike. Unë them se, në qoftë se ne duam të jemi racionalë, të hyjmë në kohë, sepse ne jemi dakord të gjithë me Byronë e Hetimit, për këtë gjë e kemi futur në Kushtetutë. Nuk kemi se çfarë të diskutojmë më në princip. E kemi dhënë atë mbështetje. Tani duhet vetëm të riformulojmë ligjin. Në ligj verifikohet se kemi diferenca. Hajde të hyjmë direkt te diferencat! Thelbi i gjësë për mua, të paktën në pikëpamjen personale, janë këto amendamente dhe debati përqendrohet këtu. Sinqerisht, me shumë respekt, unë nuk kam asnjë interes personal të dëgjoj një ekspoze të gjerë.

Fatmir Xhafaj – Vërejtja e zotit Vasili është racionale në këtë pikëpamje, që të jemi sa më efecientë në këtë gjë.

Oerd Bylykbashi – Sapo iu shpërndanë komisionit propozimet e ekspertëve. Unë jam në dijeni për këtë, por do të ishte mirë që, në një mënyrë ose në një tjetër, edhe duke pasur nevojë të kemi një mbledhje…

Fatmir Xhafaj – Jeni apo nuk jeni ne dijeni për këtë? Në qoftë se ka një njeri në këtë sallë që ka dijeni për amendamentin e zotit Smibert, ai jeni ju.

Pandeli Majko – Më vjen keq që këtu po vendoset një dyshim për procedurat lidhur me qenien ose dokument, brenda logjikës së punimeve të komisionit, vërejtjet ose sugjerimet që vijnë nga EURALIUS dhe nga OPDAT-i, sepse ata e kanë pasur këtë status që në fillim të punës së komisionit; kanë bërë vërejtje gjatë procedurave, që janë miratuar nga komisioni. Këto vërejtje janë dokument që në momentin kur na dorëzohen. Jemi ne pastaj ata që vendosim nëse do t’i marrim parasysh, qofshin ato të ekspertëve shqiptarë apo të ekspertëve ndërkombëtarë. Lidhur me faktin që mund të doni kohë të shikoni ndonjë gjë, mendoj se në këtë pikë duhet të keni të njëjtin mirëkuptim që kemi treguar ne karshi jush, që na i dhatë sot, përpara 1 orë, vërejtjet tuaja dhe ne u ulëm në tavolinë për të diskutuar.

Petrit Vasili – Zoti Kryetar, në tavolinë kemi disa amendamente të tjera shtesë, që i ka sjellë zoti Smibert, të cilat kanë buruar nga amendamentet ose propozimet që ka bërë PD-ja. Minimumi, se ne do të rrezikojmë përsëri një muaj në hava, unë do të propozoja miqësisht që ta ndërpresim për 1 orë ose për gjysmë ore, sa të doni, të shikojë PD-ja se cilat prej tyre janë të reflektuara. Nëse ka reflektime, të mos merremi me çdo amendament, por të dimë të themi “neni 1 nuk ka’, apo nëse jemi dakord me reflektimet e zotit Smibert. Ne vërtet po hyjmë në vorbull pa kuptim. Do ta “vrasim” kohën kot.

Vasilika Hysi – Ne jemi në pozita të disfavorshme, sepse vihemi para faktit të kryer, një çerek ore përpara se të fillojë mbledhja, dhe i gjejmë mbi tavolinë amendimet. Lidhur me propozimet që sjell OPDAT-i, ai nuk ka pse t’i sjellë në formë procedurale një riformulim, sepse edhe gjatë diskutimeve që ne bëjmë në mbledhje mund të bëjmë riformulime, siç kemi bërë vazhdimisht. Ju ka bërë një nder të madh që e ka marrë oponencën tuaj 20 orë para dhe ne, pjesa tjetër e komisionit, vijmë këtu si bufa dhe nuk e dimë se çfarë është bërë.

(Ndërhyrje pa mikrofon.)

Fatmir Xhafaj – Ju lutem! Zoti Bylykbashi, ruani qetësinë, ju lutem!

(Oerd Bylykbashi ndërhyn pa mikrofon.)

Fatmir Xhafaj – Ka të drejtë zonja Hysi, sepse ka qenë relatore dhe gjatë gjithë muajit gusht nuk ka bërë një ditë pushim, zotëri.

 

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kë do të votonit si kandidat për kryebashkiak në Tiranë?