Debatet me dyer të mbyllura për “Prokurorinë”, Bylykbashi: Brilancë aventurore. Xhafaj: Po na acaroni nervat
Zbardhen debatet në Komisionin e Posaçëm. PD paraqet amendimet për draftin. Majko: Botojini në media
Herion Mesi
Për opozitën “djalli është tek detaji” dhe projektligji “Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”, i hartuar nga ekspertët e nivelit të lartë në kuadër të reformës në drejtësi është një draft që parashikon ta kthejë në vulnerabël sistemin e akuzës në vend, ku rrezikohet dhe kapja e tij nga jashtë. Por për mazhorancën amendimet e opozitës dhe vërejtjet e saj nuk kanë kuptim. “Ju vini thjesht të na acaroni nga nervat!”- gjykon kryetari i Komisionit të Reformës në drejtësi, Fatmir Xhafaj. Është ky pak përmbledhja e debatit të mbledhjes me dyer të mbyllura që komisioni zhvilloi me datën 16 shtator. Duke paraqitur amendamentet e PS-së për draftin e organit të akuzës, nënkryetari demokrat Oerd Bylykbashi ngriti shqetësimin për heqjen e një sërë kompetencash për Prokurorin e Përgjithshëm, i cili sipas tij, me këtë draft është kthyer në një staticien. “Është një brilancë aventurore”,- deklaron Bylykbashi. Kanë mjaftuar këto konstatime që durimi i socialistëve në komision të tendosej, të cilët do ti sugjeronin deputetit demokrat që të bëjë ndonjë editorial me referatet që ai bën para komisionit. “Çfarë na diskutoni këtu tani? Çfarë teme doni të hapni? Doni të më thoni se jeni penduar për kompetencat që keni votuar në Kushtetutë?! Doni të na thoni të zinjtë ju, se çfarë mund të ndodhë pas 6 muajsh dhe të jetë e shkruar kjo në procesverbal?! Shkruajeni në ndonjë editorial, zotërinj dhe botojeni në medie”- sugjeroi deputeti i PS-së, Pandeli Majko. Ndërsa, kryetari socialist i Komisionit, Fatmir Xhafaj do të shkonte më larg, duke akuzuar përfaqësuesit e opozitës se po kërkojnë “të nxjerrin dhjamë nga pleshti”.
Debatet në komision
Fatmir Xhafaj – Mund ta hapim mbledhjen e komisionit. Në rendin e ditës kemi projektligjin “Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në Republikën e Shqipërisë.” Mbledhja ishte parashikuar në orën 11:00, por ramë dakord të gjithë për ta shtyrë një orë, për t’u njohur edhe me opinionin e kolegëve të opozitës, lidhur me përmbajtjen e projektligjit, në mënyrë që gjatë debatit të jemi të gjithë më të qartë se për çfarë do të diskutojmë dhe për çfarë do të debatojmë.
Oerd Bylykbashi – Zoti kryetar, kam vetëm një çështje procedurale. Ndërkohë që është punuar, pra, ekspertët kanë punuar, ne kemi punuar, meqenëse shikoj të pranishëm edhe përfaqësues të Prokurorisë së Përgjithshme, gjykoj se do të ishte me vlerë kontributi i tyre për të marrë pjesë në diskutim në çështje të caktuara dhe në nene të caktuara.
Fatmir Xhafaj – Është një ndërhyrje e panevojshme dhe e papranueshme, për një arsye të thjeshtë. Përfaqësuesit e prokurorisë janë thirrur nga ana ime vetëm për efekt të shqetësimit që ka pasur kohët e fundit prokuroria për dispozitat transitore, sepse kjo nuk është një mbledhje me grupet e interesit, nuk është as një seancë dëgjimore. Gjithsesi, nëse ka diçka, mund ta ngrenë dorën në një moment të caktuar për një gjë që është vërtet shqetësuese, në mënyrë të veçantë për pjesën e dispozitës transitore nëse ka nevojë.
Keltis Kruja –Nuk ka asgjë të keqe. Nuk po kërkojmë të bëhen palë në proces, megjithëse, për mua, përderisa është ligji “Për prokurorinë”, nuk kemi pse të mos i dëgjojmë mendimet e përfaqësuesve të Prokurorisë së Përgjithshme.
Fatmir Xhafaj – Po më çudisni vërtet! Po të ishit aq të interesuar, e kishit kërkuar në fillim që të ishin të pranishëm, ta dëgjonit prokurorinë. Kjo nuk është një seancë dëgjimore me grupet e interesit dhe institucionet. Është e kotë që bëni diskutim për këtë gjë. Unë e kuptoj shumë mirë që ju doni të nxirrni dhjam nga pleshti, por në këtë rast nuk arrini dot.
Oerd Bylykbashi – Besoj se në vazhdim të asaj që kam thënë edhe dje në mbledhje është e kotë që ne t’i shtojmë komente njëri-tjetrit pse, qysh dhe tek, vjen nga pleshti ose jo. Kjo nuk është seancë dëgjimore. Kjo është një seancë që do të ndajë gjëra shumë të rëndësishme, mënyrën se si do të funksionojë prokuroria, ndoshta edhe për shumë gjatë.
Fatmir Xhafaj – Nuk kanë ardhur me këtë status, zotëri!
Oerd Bylykbashi – Dakord. Ne e dimë shumë mirë që në këto lloj ligjesh, në këto lloj procesesh shpeshherë djalli është te detaji. Nëse ngecim do t’ia vëmë fajin presjes. Megjithatë unë dëgjova diçka nga kryetari që tha se për çështje të rëndësishme mund ta ngrenë dorën dhe të flasin. Ky është mirëkuptimi. Besoj se vlen.
Fatmir Xhafaj – Unë nuk e kuptoj, jam unë që i kam ftuar. Unë kam kërkuar të jenë të pranishëm. Ju tani dilni avokatë të mi?! Këtë nuk po e kuptoj dot.
Oerd Bylykbashi – Sot keni marrë një opinion të Partisë Demokratike. Çështja e parë që ne ngremë ka lidhje me rregullat e organizmit të brendshëm të organit të prokurorisë. Është kreu 5 dhe 6 i projektligjit. Në gjykimin tonë, dhe kjo është një nga çështjet kryesore sistemike, që besoj se ne do ta vuajmë, ndoshta edhe për shkak të mënyrës që është konceptuar gabim në Kushtetutë, është roli i prokurorisë. Një nga gjërat më të dëmshme që po bëjmë dhe kjo vazhdon e të theksohet edhe më fort në projektligj, është fakti që prokuroria është konceptuar jo si fragmentizim, por si një atomizim i mënyrës si funksionon, të raporteve që ka brendapërbrenda saj. Është shkuar drejt një ekstremi në pavarësinë individuale të prokurorëve dhe kjo ka dy risqe. Së pari, do të kemi një prokurori shumë amorfe. Askush nuk do të marrë vesh në fund se çfarë do të bëjë, askush nuk do të japë llogari deri në fund për atë që bën dhe si e bën, do të ndryshohen urdhrat që do të jenë pa vlerë dhe në fund do të kemi një prokuroi të ngritur me ishuj brendapërbrenda, të cilët do të çojnë në ulje drastike, në këndvështrimin tonë, të efikasitetit të këtij organi. Por kjo rrit rrezikun në mënyrë të skajshme për kapjen nga jashtë sistemit të individëve, që kanë një pavarësi brendapërbrenda, të një sistemi që nuk ka asnjë lloj hierarkie qoftë edhe të dobët, dhe prokurorët në këtë mënyrë ekspozohen shumë ndaj kontrollit nga jashtë, përfshirë kontrollin politik. Pra, rritet vulnerabiliteti i sistemit në mënyrë të skajshme dhe kapja e tij nga jashtë. E thashë, rrënja është në Kushtetutë dhe përkeqësohet më shumë në mënyrën si po parashikohet në këtë ligj.
Çështja e dytë ka të bëjë me kompetencat e prokurorit të Përgjithshëm. Prokurori i Përgjithshëm është kthyer në një staticien. CEO i një korporate mesatare ka më shumë pushtet brendapërbrenda organizatës së saj sesa prokurori i Përgjithshëm. Prokurori i Përgjithshëm është me vlerë shumë të vogël në sistem. Nuk është në gjendje që as edhe ato udhëzime, që mund të japë, nuk i kontrollon dot më zbatimin e tyre. Thjesht është një funksion, i cili do të mbledhë të dhëna në funksion të raportimit vjetor qoftë edhe herë pas here kur të kërkohet nga parlamenti. Por që të japë ai llogari se çfarë po ndodh me krimin e organizuar dhe me korrupsionin nuk e bën dot, sepse prokuroria e posaçme nuk e pyet fare. Ndërkohë, është i vetmi organ i ndjekjes penale, i cili i jep llogari politikisht para parlamentit. Zero. Është një brilancë aventurore. Më keq do ta bëjmë dhe më keq akoma e investojmë parlamentin e Shqipërisë në një zgjedhje me një shumicë të cilësuar, 2/3-at në fillim, 3/5-at më pas. Për çfarë? Për dikë që është më pak se CEO i një korporate mesatare.
Pandeli Majko – Zotërinj, e kemi votuar së bashku me 140 vota, prokurorit të Përgjithshëm janë dhënë këto kompetenca,vetëm po i citoj: a, b, c, ç, d, dh. I kemi votuar. Çfarë na diskutoni këtu tani? Çfarë teme doni të hapni? Doni të më thoni se jeni penduar për kompetencat që keni votuar në Kushtetutë?! Doni të na thoni të zinjtë ju, se çfarë mund të ndodhë pas 6 muajsh dhe të jetë e shkruar kjo në procesverbal?! Shkruajeni në ndonjë editorial, zotërinj dhe botojeni në medie! Mos hajdeni këtu të na bëni leksione!
Oerd Bylykbashi – Zoti kryetar, më bëri një pyetje zoti Majko. Do të shkojmë te diskutimi nen për nen, mos u shqetësoni!
Fatmir Xhafaj – Nuk ka kuptim. Ju vini thjesht të na acaroni nga nervat!
Oerd Bylykbashi – Më falni, një sekondë! Ne jemi dy palë të barabarta në këtë komision dhe nuk i acarojmë askujt nervat.
Fatmir Xhafaj – Po mban një apologji…
Oerd Bylykbashi – Zoti Majko, arsyeja pse është votuar me 140 vota është shumë e qartë. Çështjet minimale politike që garantojnë moskapjen e sistemit të drejtësisë nga maxhoranca qeverisëse u arrit të mbylleshin, por kjo nuk u heq asnjë presje të gjitha vërejtjeve që kemi bërë për aspektin sistematik me shumë probleme që kanë shumë aspekte, duke filluar qoftë nga arkitektura, që mbeti e cunguar më pas. Ne kemi një këshill të emërimeve në drejtësi që është një zombi kushtetues praktikisht dhe probleme të tjera. Në vetvete duke qenë se ky është një sistem brenda sistemit ka probleme. Këtë e kemi thënë dhe nuk tërhiqemi nga kjo pjesë. Kjo do të thotë që nesër kur t’ju mbushet mendja do ta ndërrojmë bashkë këtë pjesë. Zoti Majko, arsyet pse ne i ngremë ato çështje që janë thënë me shkrim i përsërisim sot. Ne e kemi lexuar dhe jemi të shqetësuar. Zgjidhe me veten kur nuk e lexon Kushtetutën.
Fatmir Xhafaj – Është votuar konsensualisht nga 140 deputetë. Ju e keni votuar me zemër të thyer, kjo është një gjë e njohur. E keni votuar pa vullnet, pa dëshirë. Keni qenë të detyruar dhe sot i ktheheni përsëri të njëjtës histori. Ai diskutim është mbyllur. Të gjitha diskutimet e tjera janë provokime politike që bëhen këtu dhe nuk është korrekte, mendoj unë. Për sa i përket kësaj çështjeje është e zgjidhur. Janë dy filozofi të ndryshme. Ju jeni për zyrtarin e fuqishëm që sundon prokurorinë dhe që e emëron dhe e kontrollon politika. Kushtetuta është për prokurorin zot, prokurorin e fuqishëm dhe prokurorin e Përgjithshëm, që është një administrator, një drejtues i sistemit në respekt të Kushtetutës dhe të ligjit. Janë dy filozofi këto.
Keltis Kruja –Në qoftë se ju thoni se jeni më mirë pa ju në komision, sepse praktikisht këtë thatë, komisioni është juaji, ne vijmë sa për t’ju acaruar, nuk besoj se është detaj teknik. Ky është provokim politik, më duket. Në qoftë se ju thoni se ndahemi në filozofi të qarta me ligjin, po ju them se nëse prokurori i përgjithshëm anihilohet si pozicion, krijohen disa prokurorë të përgjithshëm, që janë drejtuesit e prokurorisë nëpër rrethe, sepse sipas këtij ligji dhe sipas kësaj filozofie që heqim një autokrat, ne themi që prokurori i Përgjithshëm nuk ka asnjë kompetencë të ndërhyjë për çështje konkrete apo të japë mendim…
Fatmir Xhafaj – Ia ka dhënë Kushtetuta.
Keltis Kruja – Ta përfundoj. Pastaj e citon përsëri, Pandi, Kushtetutën. Drejtuesi i prokurorisë thotë, ka të drejtë të ndërhyjë te prokurori i thjeshtë për çështje konkrete. Pra, decentralizimi këtu shkon deri te drejtuesi i prokurorisë në rreth. Nuk shkon te prokurori i thjeshtë. Pikërisht, për ketë po themi për parimin e decentralizimit për të cilin ju jeni shumë të shqetësuar që t’i heqim…
Fatmir Xhafaj – Është në ligj. Duhet të ta lexoj ligjin ty, por nuk është detyra ime kjo.
Keltis Kruja – Mos më ndërprit kur flas! Pikërisht për këtë, ne kemi paraqitur këto konsiderata të përgjithshme mbi të cilat po diskutojmë dhe nuk po bëjmë debat politik. Po bëjmë debat teknik për ligjin dhe për mirëfunksionimin e këtij ligji, për mirëfunksionimin e prokurorisë, a do të jetë i zbatueshëm ky ligj ose jo, a do të jetë prokuroria e Përgjithshme, prokurorët dhe drejtuesit e prokurorive në gjendje që ta zbatojnë mirë këtë ligj dhe të gjitha ligjet e tjera që ne kemi miratuar në funksion të reformës që kemi bërë, a do të jenë të zbatueshme këto ligje ose jo. Kaq është kjo që po themi ne. Nuk ka nevojë as të mërziteni, as të shqetësoheni, as të hidheni përpjetë kur ne bëjmë disa komente për ligjin.
KOHA JONË SONDAZH

