Debatet mes deputetëve të majtë, shtyhet ligji per energjinë

 

Parlamenti ka shtyrë votimin nen për nen të ligjit për energjinë, i cili sanksionon sekuestrimin e banesave për debitorët. Shkak i shtyrjes për javën tjetër janë bërë krundërshtitë që kanë pasur një pjesë e deputetëve të PS-së, por edhe mungesa e votave të mazhorancës.

Ligji për energjinë elektrike ka rikthyer debatin në Parlament, mbi masat e marra nga Qeveria për rehabilitimin e sistemit energjetik në vend.  Por, për ish-kryeministrin Berisha, masa që parashikon ky ligj për vendosjen e barrës hipotekore për debitorët e energjisë, në rastet kur kalon debinë në vlerën mbi 300 mijë lekë për konsumatorët familjarë dhe mbi 2 milionë lekë për biznesin, do të thotë të sanksionosh me ligj sekuestrimin e banesave të qytetarëve.

“KESH-in e lanë me 540 milionë dollarë borxhe, të krijuara drejtpërdrejt nga vendimmarrjet krejtësisht të vërbëra të Qeverisë së kaluar. OST-në e lanë me 20 milionë dollarë borxhe, OSHEE-në e lanë në kolaps të plotë ekonomik dhe teknologjik, me 1 miliard dollarë borxhe”, tha kryeministri Rama.

“Me një logologji të pafundme mbulove aktin më të paprecedent. Mbulove ligjin, me të cilin ti i lejon vetes, me një bandë punonjësish të papërgjegjshëm në OSHEE, t’u rrëmbesh pronën themelore qytetarëve shqiptarë, t’u rrëmbesh banesën”, deklaroi deputeti demokrat, Sali Berisha.

Ish-kryeministri akuzoi Qeverinë, edhe lidhur me rikthimin e faturimit aforfe, që sipas tij po gjobit familjet shqiptare me fatura të papërballueshme për ta. “Nivelin e arkëtimeve vjetore e kemi rritur me 100 milionë dollarë deri në fillim të Prillit 2015. Kemi arritur të tejkalojmë 300 mijë aktmarrëveshje me debitorët, që këta i lanë rrugëve, duke lënë rrugëve të gjithë sistemin, sepse mendja e tyre ishte rrugë-rrugë-rrugë”, tha sërish kryeministri Rama. “Mburresh për arkëtime, por sigurisht, sepse po e gjobite tjetrin 600 mijë lekë fatura aforfe në muaj, nga 200 mijë që paguanin normalisht, t’i merr sa për 3 familje në një familje”, theksoi deputeti Berisha.

Ministri i Energjisë, Damian Gjiknuri tha se është kryer blerja e 50 mijë matësave të energjisë dhe se deri në fund të vitit synohet, që asnjë konsumator të mos mbetet pa matës. “Janë investuar për blerjen e 50 mijë matësave, në mënyrë që të zgjidhej problemi themelor, që ishte mungesa e matësave në shumë konsumatorë. Jemi drejt fundit të këtij procesi, nëpërmjet Bankës Botërore, për pajisjen e të gjithë qytetarëve dhe konsumatorëve me matësa”, tha Damian Gjiknuri, ministër i Energjisë.

SHKARKO APP