Debatet në PD, deputetët i kundërvihen Bashës,”Koherencë dhe veprim”
Nuk ka qetësi në selinë blu. Në mbledhjen e djeshme, deputetët ishin të shqetësuar lidhur me vendimet e pa konsultuara, lëkundjet dhe paqartësia e kryetarit të opozitës Lulzim Basha. Protagonistë të debateve, kanë qenë deputetët Eduard Halimi, Ridvan Bode dhe Kastriot Islami. Gjatë mbledhjes, kryetari Basha ka kërkuar që grupi parlamentar demokrat të mos votojë më asnjë nismë të qeverisë “Rama”, me argumentin se nismat nuk i shërbejnë interesit qytetar.
Më tej, kreu i PD-së, kërkuar radikalizimin e qëndrimit në raport me mazhorancën dhe refuzimin për të votuar çdo nismë në Parlament, ndërsa ka hedhur edhe idenë e bojkotit të Kuvendit, për të polarizuar klimën politike para zgjedhjeve të 2017.
Ideja e Bashës, nuk është mbështetur nga deputeti i PD, Eduard Halimi, i cili ka theksuar se nuk mund të mbahen qëndrime të ndryshme në komisione dhe Parlament. “Ne si grup duhet të jemi të unifikuar sa i përket qëndrimit që duhet të mbajmë në Komisione dhe në Parlament. Shpesh na ndodh që jemi të dyzuar në momentet kur duhet të votojmë”, ka pohuar Halimi.
Gazeta “Shqiptarja.com”, shkruan se: “Deputeti Halimi ka kërkuar koherencë dhe një standard në qëndrimet e opozitës. Ndërkaq, propozimi i Bashës është kundërshtuar nga deputeti Ridvan Bode. “I nxituar më duket ky propozim. Unë jam me idenë që në komisionet parlamentare të votojmë pasi aty diskutohet teknikisht dhe jo gjithmonë politikisht. Ndërsa në Parlament dhe unë jam i mendimit që të mbahet një qëndrim i prerë duke qenë se aty diskutohet vetëm politikisht”, mësohet se ka pohuar Bode”.
Deputeti Islami
Deputeti demokrat Kastriot Islami ka kërkuar një mënyrë tjetër të të bërit opozitë. Sipas burimeve, deputeti Islami i ka kërkuar Lulzim Bashës organizimin e protestave popullore për rrëzimin e kryeministrit Rama. I njohur për linjën radikale, Islami ka kërkuar mobilizimin e masave për të zhvilluar protesta të pandërprera para Kryeministrisë, ndërsa ka një analizë të situatës politike në vend. “Kjo qeveri po tenton të organizohet për të fituar zgjedhjet e ardhshme duke blerë votat përmes përdorimit të parave të korrupsionit dhe drogës. Nuk mund ta tolerojmë. Duhet të organizojmë protesta popullore për ta ndalur. Nuk kemi pse të presim. Rama ka krijuar të gjitha kushtet që në Shqipëri të organizohen mafia e vërtetë, e cila bashkëpunon me eksponentë të policisë së shtetit. Të organizojmë qytetarët për të rrëzuar Ramën para zgjedhjeve”, ka thënë Islami. Ndërkaq, ka ardhur edhe reagimi i Bashës. “Qëndrimin tonë për protestat duhet ta diskutojmë me aleatët tanë dhe me shoqërinë civile, ndërsa me qytetarët kemi nisur turin për të marrë dhe miratimin e tyre për të na bashkëngjitur në revoltë popullore”, ka pohuar Basha.
KOHA JONË SONDAZH

