Debatet pa mikrofon mes Berishës, Ballës, Stërkajt dhe Sadri Abazit

 

Sali Berisha është shfaqur shumë agresiv seancën e djeshme në kuvend.

Ai ka sulmuar disa nga deputetët socialistë.

Madje, Palun Sterkajn e ka kërcënuar me vdekje.

Panorama ka zbardhur sot gjithë debatin e zhvilluar dje:

Sali Berisha: Ky (Rama) u thoshte partnerëve tanë se s’më duheni ju, se më duhet Bushi, se më duhet Rroshi, se më duhen paratë e pista të tyre, se më duhet Mark Frroku, që ka vrarë kryekomisarin dhe që pafytyrësish akuzoni se u nxor në pritë, paçka se ata që akuzonit ju u kapën brenda gjysmë ore. Arben Frrokun e identifikuan, e sollën nga Selaniku, e vunë pas hekurave dhe e liruat ju për të blerë votat në Pukë. E nisët në Kubë, sepse mbaroi misionin. Por shpirti i komisarit të vrarë do t’ju ndjekë mbrapa gjithë jetën. Akuzat që lëshuat se u nxor në pritë, do t’ju ndjekin mbrapa gjithë jetën. Ja ku u vra komisari tjetër në hyrje të Lazaratit. Asnjëri nuk akuzoi se u nxor në pritë, ndonëse u nxor në pritë, ndonëse u vra nga njerëzit e lidhur me qeverinë. Është e faktuar kjo…

Paulin Sterkaj: Kush e nxori në pritë, se s’po e marrim vesh?!

Sali Berisha: Shiko, mbylle gojën ti! Ta mbyllësh gojën, mirë! Mos kujto se do të vazhdosh të bësh këtu të fortin, s’pyet kush për horra apo balosha.

Taulant Balla: Vazhdo fol aty… vazhdo. S’e kishte me ty, e kishte me mua. Me kë e ke?!

Sali Berisha: Me ty e kam. Me ty.

Shpëtim Idrizi: Zoti Berisha, ju lutem po komunikonte me mua.

Sali Berisha: Edhe mbylle gojën po të them.

Paulin Sterkaj: Ika kryetar, ika, kam respekt për ty. Vazhdo mashtro, se rritesh…

Sali Berisha: Shko qëllo me revole njerëzit në qendra votimi, mos ki merak se këtu jemi, shko qëlloi me qytë revoleje, se për atë je.

Paulin Sterkaj: Ti je baba i shpifjes…

Sali Berisha: Ka parë ky Parlament shumë si ty, po të gjithë kanë përfunduar aty ku meritoni. Ta dish mirë ti. Shko qëlloi me revole në qendrat e votimit demokratët.

Paulin Sterkaj: Ti je baba i shpifjes. E kam mbaruar misionin në zgjedhje.

(Sterkaj largohet nga salla, por vjen sërish pas pak minutash)

Paulin Sterkaj: Personat që s’kanë lidhje me politikën, por me botën e krimit i penalizoi me votë Malësia Madhe. Shpifën diçka nëpër media, por nuk u zuri vend. Unë s’kam përdor kurrë pistoletë kur kam qenë në polici, e do e përdor tani që jam deputeti më i votuar historikisht në atë vend?!

Sali Berisha: Kjo ishte fushata më e pabarabartë në histori. Mbi zgjedhësit shqiptarë vërshuan lumenjtë e drogës, paratë e drogës, të prostitucionit, të kontrabandës dhe evazionit fiskal si kurrë më parë, si kurrë ndonjëherë, vetëm në dy ditë, në fushatën e Tiranës, kandidati i maxhorancës së krimit ka shpenzuar për reklama televizive më shumë se të gjitha shpenzimet e të gjithë fushatës elektorale nga kandidati i Partisë Demokratike dhe i opozitës.

Sadri Abazi: Zero, zero, po gënjen. O gënjeshtar.

Sali Berisha: Ti je një hiç, një mercenar. Ky është pjesë e botës së krimit. Ja njoh mirë unë këtij me dhëmbë e dhëmballë…

Sadri Abazi: Ti stomatolog, baltos çdo person që është nga pala tjetër.

Pandeli Majko: Mendoj se po të ishte i vërtetë manipulimi i zgjedhjeve, për sa ju njoh unë nga krijimi i Partisë Demokratike, ju do të kishit hedhur në erë Kuvendin. Por ja që s’e hodhët në erë Kuvendin, jeni shumë të zbutur, jeni shumë të qetë dhe kjo ka të bëjë me një reflektim lidhur me rezultatin, i cili jo vetëm matematikisht, por edhe për arsye të tjera, ishte ai që ishte. Unë mendoj se 4 vjet kalojnë shumë shpejt. Unë mendoj se nuk do të jemi të përjetshëm në pushtet, prandaj me pak durim gjërat mund të ecin më normalisht.

SHKARKO APP