Debati për biznesin/ Shehaj: Gjykata vendosi në favor të Ramës, beteja vijon deri në Strasburg

Gjykata Administrave rrëzoi kërkesën e deputetit të PD-së, Agron Shehaj, lidhur me shfuqizimin e aktit të ndërmarrë nga Policia për bllokimin e pallatit gjashtë katësh në Tiranë, i cili dyshohet se është pa leje, pallat në të cilin deputeti demokrat zhvillonte aktivitet biznesi në njërën nga zyrat e kësaj godine.

Shehaj thotë se Gjykata ka vendosur në favor të Ramës dhe se kjo betejë ligjore do të vazhdojë deri në Strasburg. Ai tregon edhe se nuk do të tërhiqet, dhe se nuk do të bjerë pre e shantazhimeve.

“Gjykata sapo vendosi në favor të Edi Ramës. Në këtë vend kur verdiktin e jep kryeministri, nuk ka asnjë njeri tjetër që ta kundërshtojë atë. Ky ishte një gjyq farsë ku Policia fiton pa paraqitur asnjë provë, urdhër apo akt para gjykatës.

Çdo qytetar e di që në Shqipëri përballë Edi Ramës nuk mund të ketë drejtësi. Beteja ligjore do vazhdojë deri në Strasburg. Jam i bindur se në fund do ketë drejtësi. Beteja politike, me fakte dhe prova të vjedhjeve të kryeministrit dhe ministrave në dëm të popullit më të varfër në Europë nuk ndalet. Unë nuk shantazhohem dhe nuk tërhiqem”.

Kryeministri Edi Rama iu drejtua Shehajt me termin “Ballist i foltores”, duke i thënë se ai nuk njeh ligjin, pasi duhet ta dinte që nuk bëhet biznes në një pallat që s’ka leje shfrytëzimi.

SHKARKO APP