Debati për orgjitë, Berisha përjashtohet nga Parlamenti. Noka: Shkak se përdorëm bilbila

Mazhoranca vijon që të përjashtojë nga Kuvendi i Shqipërisë deputetët që janë në krahun e Sali Berishës. Vendimi i fundit është përjashtimi me 10 ditë i vetë Berishës dhe sekretarit të Përgjithshëm të PD-së, Flamur Noka. Deputetët Edi Paloka dhe Belind Këlliçi përjashtohen me 5 ditë.

Flamur Noka dhe Belind Këlliçi kanë deklaruar nga jashtë ambienteve të Kuvendit, se do të jenë të pranishëm në seancën e nesërme pavarësisht vendimit që komisioni i Etikës mund të marrë për përjashtimin e tyre.

Gjithçka nisi nga një intervistë e Berishës që foli për orgji të McGonigal në Tiranë me qeveritarë, por që gjatë seancës plenare të së hënës, deputetet gra të PS-së u shprehën të indinjuara nga gjuha e përdorur nga kreu i PD-së, dhe sot Komisioni i Etikës i përjashtoi. Gjatë seancës të së hënës, Noka pengoi zhvillimet e Kuvendit duke përdorur edhe bilbilin.

”Shikojeni videon me bilbila opozita e atëhershme protestonte për të drejtat e veta dhe as nuk i ndërpreu njeri. Kur ishin në opozitë vetë hynin me megafona, flisnin merrnin edhe mikrofonin e Topallit dhe nuk i ka ndaluar askush. Kjo është demokracia”,-tha Noka.

Deputeti demokrat Saimir Korreshi e ka cilësuar “absurd” vendimin dhe shprehet se s’mund të përjashtohen deputetët vetëm se kanë përdorur fjalët “orgji” dhe “McGonigal” pasi Rama përdor fjalë shumë herë më të rënda në parlament.

SHKARKO APP