Debati për Teatrin. Basha: Rama, gjuhë batakçiu
Kreu i PD-së, Lulzim Basha i është përgjigjur sot deklaratave të Edi Ramës për çështjen e Teatrit Kombëtar dhe përplasjen e deputetëve të PD me kryebashkiakun Veliaj. Në një reagim në rrjetet sociale, Basha shprehet se PD është në mbrojtje të interesit publik. Ai e cilëson projektin e qeverisë për Teatrin si aferë kriminale.
Deklarata e plotë e Lulzim Bashës:
Sot opozita mbrojti interesin publik dhe parlamentarizmin. Parlamenti duhet të përfaqësojë interesat e popullit dhe jo të mafias së ndërtimit, krimit dhe drogës. Por Edi Rama e ka të vështirë të bëjë dallimin midis batakut mes të cilit kalon gjithë kohën dhe parlamentit, prandaj edhe komentet e tij publike janë të gjitha me gjuhën e batakçiut.
Afera e Teatrit Kombëtar është grabitje kriminale që Edi Rama ka më se një vit që e përgatit në bashkëpunim me klientët e tij. Në këtë aferë do të vidhet prona publike për të ndërtuar kulla të larta që do financohen me para të krimit dhe drogës. Ky që garantoi karrierën me 20 për qindshin për çdo leje ndërtimi dhe u ngrit në majë të politikës me formulën “një pallat, një votë”, tani sillet si një bandit që do të grabisë 100 për qind të Shqipërisë.
I dështuar në qeverisje, i demaskuar para gjithë botës si i paaftë, i korruptuar dhe i kalbëzuar moralisht, Edi Rama kërkon ngushëllim dhe mbrojtje duke u bërë njësh me oligarkë, kriminelë dhe hajdutë për të mbrojtur pushtetin dhe bërë para duke betonizuar dhe grabitur Shqipërinë.
Dhunuesi i Parlamentit, Kushtetutës dhe ligjit është Edi Rama. Dhunuesi i shqiptarëve është Edi Rama që pasi u vodhi votën, po vjedh edhe pasurinë publike për të shtuar pasurinë e vet private. Dhunuesi i Shqipërisë është Edi Rama që po na mbyll derën e Europës për të pestin vit me rradhë. Sot ai mund të ngrejë kulla dhe të pastrojë paratë e drogës në çdo cep të Tiranës, por e afërt është dita kur këto zulllume do ta zënë poshtë bashkë me Fikun e Tiranës!