Dëbimi i mësuesit turk/Lleshaj: Vendim administrativ, jo rezident në Shqipëri

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj në përgjigje të deputetit Artur Roshi për dëbimin e shtetasit turk Harun Çelik thotë se ky vendim është administrativ që nuk i takon ministrit. Sipas tij, shtetasi turk është kapur me viza kanadeze të falsifikuar. Ndërsa sqaron se ai nuk ka qenë rezident në Shqipëri.

”Dëbimi i qytetarëve të huaj nga Shqipëria që nuk disponojnë dokumente të ligjshme është një praktike e rëndomtë e përditshme. Vendimi nuk merret nga ministri i brendshëm, ministri i brendshëm merret me çështje politike. Vendimet e dëbimit janë vendime administrative. Në rastin konkret përgjegjës janë drejtoritë vendore të policisë së kufirit dhe migracionit. Këtu kemi të bëjmë me një proces administrative. Duhet të kishit kërkuar një hetim administrative përpara se çështja të marrë dimension politik në Parlament. Harun Celik është ndaluar në Shqipëri në 8 korrik 2019 sepse është kapur me një pasaportë turke në të cilën ndodhej një vizë kanadeze e falsifikuar. Qytetari turk nuk ka qenë rezident në Shqipëri asnjëherë. Ka hyrë vetëm njëherë në Shqipëri në 5 korrik 2019 dhe ka dalë pas disa orësh dhe ka ardhur në datën 8 për tu ndaluar nga autoritetet kufitare në dalje të kufirit. Kjo do të thotë se ky shtetas në kushtet e shkeljes së ligjit është proceduar dhe është dënuar nga gjykata e Tiranës dhe është deklaruar fajtor për falsifikim. Ai është dënuar me 13 muaj burgim. Më pas i është ulur dënimi me 1/3 në 8 muaj”.

SHKARKO APP