Deklarata e bujshme e Biserkos: Partneri në Tiranë për ndarjen e Kosovës, serbët gjetën Ramën
Kryetarja e Komitetit të Helsinkit në Serbi, Sonja Biserko, akuzon kryeministrin Edi Rama, duke thënë se u bë partner i serbëve në projektin për ndarjen e Kosovës. Në një intervistë për SYRI TV, ajo tha se serbët gjithmonë e kanë dashur ndarjen e Kosovës dhe kanë kërkuar vazhdimisht partnerë në Tiranë për këtë projekt.
Zonja Biserko, cili është pozicioni i kryeministrit tonë Edi Rama në këtë dialog, apo le të themi, bisedime të fshehta mes Kosovës dhe Serbisë, si u përfshi Rama këtu. Kam këtu edhe intervistën që ti ke dhënë për revistën Vreme në 2018-ën…
Besoj se ka pasur bisedime mes Ramës dhe Vuçiç. Rama ka pasur lidhje të ngushta me Soros, e më pas Soros u përfshi në këtë çështje. Pra kë qenë një qarkullim i të gjithë këtyre aktorëve mes Prishtinës dhe Beogradit. Pra po, ai ka pasur rolin e tij dhe e kam dëgjuar gjithashtu edhe nga politikanë shqiptarë, që ishin pjesëmarrës në një panel ku isha edhe unë prezent. Shumë të tjerë e kanë konfirmuar diçka të tillë gjithashtu. Por ai është tërhequr nga kjo iniciativë tashmë, të gjithë janë distancuar nga kjo ide, sepse ajo dështoi. Megjithatë në një pikë ka qenë shumë reale, por për fat të mirë BE, sidomos Gjermania, e ndaloi këtë marrëveshje dhe vazhdimësinë e negociatave në atë drejtim.
Por çfarë përfiton Rama duke u përfshirë në një dialog të tillë mes Kosovës dhe Serbisë? Të mbrojë një projekt që në fakt e dëmton Kosovën… Jo vetëm Kosovën, por të gjithë rajonin ashtu sikurse thatë edhe vetë ju pak më parë…
Mbase këtë pyetje duhet t’ia bësh vetë atij. Mbase dëshira e tij ishte të bëhej udhëheqësi shqiptar i të gjithë rajonit. Nuk e di, edhe vetë seriozisht isha shumë e surprizuar.
Edhe ne jemi të surprizuar, ndaj edhe ju pyes.
Ata njerëz kërkojnë për partnerë në Tiranë, dhe nuk mund ta gjenin. Ishte hera e parë që dikush i bashkohej një koncepti të tillë për të cilin unë u zhgënjeva shumë pasi ai të jepte përshtypjen e një udhëheqësi modern, i cili kupton konceptin, vlerat e Bashkimit Evropian. Shpresoj që ky të jetë edhe fundi i një përpjekje për të ndarë Kosovën.