Deklarata e përbashkët e gazetarëve: Ndërkombëtarët kundër PS-së
Prej më shumë se dy orë, vijon protesta e gazetarëve kundër paketës ”Antishpifje”, duke e cilësuar si censurë dhe ligj të dikataturës që kërkon të minojë fjalën e lirë. Gjergj Erebara, gazetar i BIRN, ka lexuar qëndrimin e përbashkët të gazetarëve dhe shoqatave, duke thënë se ata janë kundër kësaj pakete. Sipas deklaratës, transformimet në draft janë e njëjta gjë dhe nuk kanë ndryshuar thelbin. Ai shtoi se ligji do të kundërshtohet me mjete demokratike dhe e konsideroi betejen të fituar pasi PS-ja është kundër ndërkombëtareve dhe këta të fundit tha ai, mbështesin gazetarët dhe mediat.
“Të gjitha transformimet në draft janë e njëjta gjë. Qeveria do të krijojë një regjim që është në kundërshtim me ndërkombëtarët. Ne do të kundërshtojmë ligjin me të gjithë mjetet demokratike. E konsideroj betejën e fituar, pasi socialistët do të vendosin nëse janë forcë europiane dhe anti-europiane. Nuk mund të ketë polic dhe regjistër për mediat. AMA nuk mund të kontrollojë mediat, nuk mund të shkojmë 3 shekuj pas. Ligji përveç medias censuron qytetarin. Edhe qytetarin e privon që të shkojë në Gjykatë”, u shpreh ndër të tjera Erebara.
15 organizatat mediatike që kundërshtojnë këtë projektligj u shprehën se ata kërkojnë rrëzimin e plotë të ligjit dhe prandaj sot janë në protestë para Kuvendit, pasi për ta ky ligj është diktatorial. Kreu i Unionit të Gazetarëve, Aleksandër Çipa, teksa e ka cilësuar si censurë këtë paketë, bëri të ditur se në rast se Kuvendi e miraton sot, ata do ti drejtohet Presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta për të kërkuar mosdekretimin e paketës.
Autoriteti i Mediave Audiovizive merr kompetenca deri në mbylljen e portaleve nëse gjykon se ka publikuar lajme të rreme apo shpifje. Kundërshtarët e paketës theksojnë se ky vendim mund të merret vetëm nga Gjykata dhe se asnjë institucion tjetër nuk mund të marrë kompetencat që i takojnë drejtësisë.
Komisioni Europian thotë se projektligji për shtypin në Shqipëri, megjithë ndryshimet që i janë bërë ditët e fundit, përsëri ngre shqetësime. Një zëdhënës i Komisionit Evropian, i pyetur nga “Zëri i Amerikës” mbi projektligjin, që ka ngjallur debate të mëdha në Shqipëri, tha se edhe varianti i fundit nuk merr parasysh një sërë rekomandimesh që janë bërë nga faktorë të ndryshëm ndërkombëtarë. Me këtë paketë, Shqipëria bëhet vendi i parë në Europë që gjobit gazetarët me vendime administrative, dhe i jep fuqi të plotë AMA-s, si një gjykatë për mediat.