Deklarata e Vuçiç, Majko: Serbia po armatoset vrullshëm
Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko, thotë se deklarata e Presidentit serb, Aleksandër Vuçiç nuk duhet parë si provokim, por është protokoll i vërtetë i marrëdhënies shqiptaro-serbe, një konflikt i ngrirë.
”Mendoj që nuk duhet parë si provokim apo retorikë, por një fakt që politika serbe po prodhon për rajonin. Aktualisht nuk mendoj se jemi duke parë ndonjë surprizë, por vazhdimësinë e një lloj papërgjegjshmërie, e cila u deklarua më së fundmi. Është protokoll i vërtetë i marrëdhënies shqiptaro-serbe, një konflikt i ngrirë”, u shpreh ministri për ”euronews albania”.
Nga ana tjetër, Majko tha se Serbia është një nga shtet që po armatoset më shumë në rajon dhe sipas tij, ky armatim nuk është për gjueti rosash.
”Besoj që cilido e ka parë që Serbia është një nga shtetet që po armatoset në mënyrën më të vrullshme në krahasim me vendet e rajonit. Nuk besoj se ky armatim është për gjueti rosash. Është një politikë që më në fund i përgjigjet kësaj që më fund u deklarua si protokoll i konfliktit të ngrirë. Mendoj që teknologjia serbe për të krijuar fqinj me status gjysmë shtetëror duke filluar nga Bosnja tek Mali i Zi dhe tani mesa duket do të kapë edhe Kosovën”, tha ai.