Deklaratë e fortë e deputetit: Me paratë e Damian Gjiknurit janë blerë deputetët për të votuar sot Kodin
Ndryshimet në Kodin Zgjedhor kanë shkaktuar një debat jashtë Kuvendit, pasi Halit Valteri është përplasur verbalisht me Damian Gjiknurin.
Gjiknuri ka lënë sallën teksa duket se Valteri i opozitës parlamentare i ka shkuar nga pas. U desh ndërhyrja e truprojave për t’i ndarë edhe pse nuk pati konflikt fizik të ashpër. Duke iu përgjigjur interesimit të gazetarëve, Valteri bëri dhe denoncimin e fortë!
“Me paratë e Gjiknurit janë blerë sot deputetët për të votuar Kodin Zgjedhor”, deklaroi Halit Valteri.
Valteri thekson se i ka ardhur një telefonatë kërcënuese nga Gjiknuri. Ai thekson se nuk frikësohet nga kërcënimet e tij apo të ‘’çunave problematikë’’ të tij.
Më tej i kërkon Ramës të të tërheqë Gjiknurin nga kërcënimet, madje duke e cilësuar si ‘’qen bir qeni’’. Ndërsa shton se vetë Gjiknuri ka blerë deputetë që sot me vota pro të kalojë ndryshimet në Kodin Zgjedhor.
“Provokimet e Gjiknurit dhe çunave problematike, as më hynë as më dalin. S’jam idiot që të dal nga Kuvendi e të zë një deputet, më këcënoi në telefon. Gjiknuri është në Pazar të plotë me bandat dhe krimin. I bëj thirrje të tërheqin këtë qen bir qeni, pasi familja ime e ka provuar si i bën gjërat.
Si ta duan në parlament, jashtë parlamentit, me një Valter nuk merret dot. I kemi dhënë provat si familje si i përballojmë mbeturinat. Nuk e krahasojmë Ahmet Zogun me Gjiknurin, që si Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë ka vjedhur 100 milionë euro dhe i merr nga 5 milionë euro Guruja sa herë vjen dhe takon gruan.
Mazhoranca me fekale do përfundojë me 30 deputete, teksa me paratë e Gjiknurit janë blerë deputetë të tjerë. Deputetët e blerë janë ata që do të kalojnë me vota pro Kodin Zgjedhor. Unë jam kundër”, tha Valteri.