Dekorimi i Berishës, Blendi Gonxhja: Do më shqetësonin më shumë Piramidat, trazirat e ’97-s, Gërdeci e 21 janari
Kreu i shtetit i dha Berishes “Dekoratën e Flamurit Kombëtar” me motivacionin: “Shpirtit liridashës që iu bashkua dhe përcolli që në momentet e para frymën e lëvizjes mbarëpopullore demokratike në vitin ’90 që solli përmbysjen e rregjimit më diktatorial e çnjerëzor komunist”.
Një prej Studentëve të Dhjetorit, Blendi Gonxhja shprehet se për rolet dhe ndikimin e tij në këto 25 vjet, Berisha mban përgjegjësinë kryesore nëse kjo periudhë vlerësohet me shumë probleme dhe shumë e kritikueshme për mos arritjen e qëllimit për një demokraci funksionale, për një ekonomi të hapur tregu, për shanse të barabarta, për administratë të depolitizuar e për prosperitet.
Sipas tij, nëse sot kemi një shtet të kërrusur, me borxh në nivele alarmante, me beteja të hapura me krimin e me abuzimet në shumë fusha, me territorin e copëtuar nga zhvillimet pa fre e pa plan, me burimet natyrore në mëshirë të fatit, pa perspektivë integrimi të qartë, Berisha do ishte ndër aktorët e parë që do thirrej të jepte shpjegime e që do duhej të jepte llogari politikisht.
“Unë e respektoj drejtësinë në princip, e përderisa ajo nuk ka folur nuk kam si i vesh përgjegjësi të tjera konkrete por nëse do isha në vend të tij do më shqetësonte shumë çështja e Piramidave, shtypja e opozitës që çoi në trazirat e 1996-97, çështja e Gerdecit, e 21 janarit (për reagimin e forcave të rendit), etj. Si protagonist i këtyre 25 viteve pluralizëm Berisha natyrisht do meritonte qortime pa fund. Ndërsa për angazhimin e tij që në fillesën e Lëvizjes së Dhjetorit ’90 ishte e drejtë e tij të provonte të merrte drejtimin e partisë së parë të opozitës, ishte mangësi e kohës që të ndodhur pa një disidencë të formësuar në liri kishte boshllëk të madh dhe vetë studentët nuk mund të merrnin në atë situatë frenat e betejës politike e parlamentare të vetëm”,thotë Gonxhja në një koment për gazetën “Sot”.
Gonxhja deklaron se ngjarjet që pasuan vërtetuan një fakt tjetër, që tek Berisha u shfaqën metoda e veprime tërësisht me mendësinë e vjetër, thuajse staliniste, më keq sesa sjelljet nga eksponentët e PPSH, dhunë, përjashtime e militantizëm agresiv, vënie e shtetit nën thundrën e partisë e nisjen e një krisjeje të re sociale.
“Di të them se aktiviteti i organizuar me rastin e përkujtimit të 25 vjetorit të Lëvizjes Studentore të Dhjetorit ’90 e nderon Presidentin Nishani dhe se dekorimi i martirëve të diktaturës dhe i vetë Lëvizjes Studentore 1990-1991 ishte një akt mirënjohje i shtetit shqiptar që e ndaj dhe e falenderoj. Me aq, pa dekorimin e Sali Berishës, ky akt do ishte akoma më i paanshëm dhe akoma më solemn”, e mbyll komentin e tij Blendi Gonxhja.
KOHA JONË SONDAZH

