Dekorimi nga presidentja Osmani, shkrimtari Ismail Kadare: Është një fat i rrallë që një popull të të nderojë

Shkrimtari i madh shqiptar, Ismail Kadare është dekoruar nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me urdhrin ”Hasan Prishtina”. Presidentja Osmani vlerësoi lart kontributin e Kadaresë në sensibilizimin e çështjes së Kosovës në botë.

“Ju keni qenë vazhdimisht pikë referimi për shqiptarët. Nëpërmjet krijimtarisë suaj ju keni dhënë shembullin për shqiptarët. Ju e keni shpalosur artistikisht si rrallë kush historinë e traditat shqiptare. Ju e keni mbrojtur dhe keni promovuar kulturën shqiptare, si dhe keni qenë një gardian i së drejtës së popullit shqiptar”, tha Osmani. Pas pranimit të dekoratës, shkrimtari tregoi se sa i nderuar është me këtë vlerësim.

“Së pari ju falënderoj, jam shumë i prekur që të jem afër jush për këtë nderim kaq të madh. Është një fat i rrallë që një popull të të nderoj dhe të të quaj bashkë mbrojtës të të drejtave të tij. Për fat të keq Shqipëria ka pasur një rrugë të gjatë historike të shkelur me këmbë nga forcat e huaja, por për fat të mirë ajo i ka kapërcyer vështirësitë e errëta të historisë dhe gjithçka tjetër që mund ta pengojë një popull që të jetojë i lirë. Vetë mbledhja jonë këtu tregon triumfin e popullit shqiptar. Nuk ka nderim më të madh për një intelektual sesa kjo që po e përjetoj sot këtu”, u shpreh Kadare.

SHKARKO APP