Dekriminalizimi, aktet nënligjore në Këshillin e Legjislacionit
Këshilli parlamentar i Legjislacionit është mbledhur pasditen e sotme për të diskutuar mbi aktet nënligjore në kuadër të ligjit të dekriminalizimit të politikës.
I pari që ka marrë fjalën ka qenë kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, i cili ka lexuar rendin e ditës ku përfshihen aktet në fjalë.
Ndërsa më pas, deputeti socialist Taulant Balla ka prezantuar dy formularë. I pari, dhe më i detajuari, përmban krimet për të cilat individë të caktuar nuk do të lejohen të kandidojnë për deputetë; ndërsa i dyti është varianti i ligjit Severino.
Ndërkohë, deputeti demokrat Oerd Bylykbashi ka mbrojtur variantin e PD për dekriminalizimin, që në parim nuk ka lidhje me atë të PS. Mes palëve ka një ndarje të thellë, që mund të vërë në pikëpyetje mundësinë e zbatimit të ligjit në fjalë.
Mes PD dhe PS nuk ka konsensus mbi atë se çfarë do të bëjë nesër Kuvendi; do të kalojë me një projektvendim sipas PD, apo sipas PS, që nuk përmban pjesën për prokurorinë.
PD thotë se, PS e ka hequr prokurorinë si mekanizëm kontrolli dhe kanë futur vetëdeklarimin e zyrtarëve. Vetë PD e ka bërë shumë të gjerë pjesën e kontrollit nga prokuroria. Konfliktualiteti mes palëve bën që rreziku që ligji i dekriminalizimit të dështojë të jetë i madh.
KOHA JONË SONDAZH

