Dekriminalizimi i Kuvendit, cilin grup parlamentar do të zgjedhë deputetja më e re?
Mirela Furracaku është renditur e treta në listën e PDK-së në Shkodër dhe pritet të jetë deputetja më e re e Kuvendit të Shqipërisë, për nga koha dhe jo mosha.
Mirela Ferracaku ka lindur në vitin 1983 në Trush të Shkodrës dhe mësohet se deri në vitin 2012 ka punuar si ndihmës mjeke në Bërdicë. Ajo kandidoi në qarkun Shkodër, nën siglën e Partisë Dekokristiane.
Në një foto që është shpërndarë në media, si kandidate për t’u bërë deputete, Mirela Furracaku shfaqet para një biblioteke, çka tregon se i përket një tjetër kategorie, që i shkon për shtat pikërisht procesit të dekriminalizimit të Kuvendit të Shqipërisë.
Mandati i takon pikërisht asaj, sepse i dyti në listë është Arben Frroku, vëllai i deputetit Mark Frroku, i cili është i arratisur dhe i dënuar me burg përjetë nga Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda për vrasjen e krye-komisarit, Dritan Lamaj.
Por KQZ, pasi të shqyrtojë dorëheqjen nga mandati i Mark Frrokut, dhe t’ia dorëzojë atë deputetes Mirela Furrasaku, pikëpyetje të tjera shtrohen se me cilin grup parlamentar do të pozicionohet ajo në Kuvendin e Shqipërisë.
Por si rrallë ndonjëherë, kur qeverisjes aktuale i ka mbetur thuajse edhe një vit kalendarik, pasi 2017 po troket me zgjedhjet e tjera parlamentare, pa llogaritur zgjedhje të parakohshme, dy kampet duket se nuk janë të interesuara më për të bërë pazar apo për të fituar numra deputetësh.
Rasti më i fundit ishte ai i deputetit të qarkut Lezhë, Eduard Ndocaj, i cili garoi në zgjedhjet e kaluara nën siglën e PS-së, por pasi fitoi mandatin nga KQZ, u rreshtua me Partinë e Nard Ndokës në ditën e parë të Kuvendit. Ai po ashtu shkoi edhe në mbledhjen e parë të kryesisë së Partisë Socialiste, një javë më vonë.
Sakaq, Mark Frroku zgjodhi të heqë dorë nga mandati i deputetit të qarkut Shkodër ditën kur Parlamenti diskutoi në parim projektligjin për dekriminalizimin.
Ai zgjodhi të njëjtën mënyrë për t’u larguar nga politika, si Arben Ndoka, që nëpërmjet një letre la mandatin e deputetit 2 muaj e gjysmë më parë, ditën kur Parlamenti i hoqi imunitetin një deputeti tjetër socialist, Armando Prengës.
Mark Frroku nuk e ka dorëzuar ende zyrtarisht letrën në Kuvendin e Shqipërisë, por Top Channel e ka siguruar atë prej avokatëve të tij. Deputeti kristian-demokrat ndodhet në burg, siç shkruan vetë, që prej 3 prillit të këtij viti, për llogari të drejtësisë belge.
Çështja që është ende në proces gjyqësor në Belgjikë, ku ai akuzohet për vrasje, është arsyeja sipas të cilit Mark Frroku po dorëzon mandatin e deputetit.
Në letër ai thotë se, “motivi dhe qëllimi i kësaj dorëheqjeje lidhet me procesin e Belgjikës”, ku prej 17 vjetësh nuk ka ende një vendim përfundimtar dhe se për këtë ngjarje ai është nën hetim dhe ndodhet në dhomat e paraburgimit të 302-shit në Tiranë.
Mark Frroku e quan këtë një kalvar vuajtjesh politike për veten dhe familjen e tij, që nis me atë që e cilëson si “divorc me ish-partinë shtet”, Partinë Demokratike.
Frroku thotë se kur sponsorizonte demokratët, ai nuk konsiderohej i inkriminuar, ndërsa tani po akuzohet dhe përbaltet me të pavërteta, që, siç thotë ai, do të provohen shumë shpejt si të tilla.
Ai gjithashtu në letrën e dorëheqjes shtoi se, po bëhet kurban për dekriminalizimin dhe se atij kjo i ka rënë për pjesë, meqë nuk ka patur të bëjë me politikën e vjetër 25-vjeçare.
KOHA JONË SONDAZH

