Dekriminalizimi/ Nuk ndalet PD, nxjerr emrin e një tjetër kryebashkiaku të PS-së të lidhur me krimin
Partia Demokratike denoncon në prokurori kreun e Bashkisë së Matit Agron Malaj pasi është në shkelje të ligjit të dekriminalizimit, pasi ndaj tij ekziston një ndalim për armëmbajtje pa leje.
Me anë të një deklaratë për mediat, Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi i ka kërkuar prokurorisë për të verifkuar të shkuarën kriminale të kryebashkiakut te Matit, ish-gardistit, Agron Malaj.
Sipas Gazment Bardhit, Malaj është dënuar me vendim të formës së prerë për “Armëmbajtje pa leje”, nga Gjykata e Matit, por ky vendim nuk është deklaruar në formularin e dekriminalizimit, që Malaj ka depozituar para zgjedhjeve të qershorit.
PD i kërkon po ashtu Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që të veprojë pa asnjë vonesë për heqjen e menjëhershme të mandatit të Malajt.
Ky është kryebashkiaku i pestë i denoncuar nga PD pas 30 qershorit.
“Sot PD i ka kërkuar zyrtarisht prokurorisë verifikimin e të kaluarës kriminale të Edi Ramës së Matit. Agron Malaj i dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për armëmbajtje pa leje dhe i ndalohet kandidimi përjetë për një funksion publik. PD i kërkon Prokurorisë së Përgjithshme dhe më pas KQZ të veprojë pa asnjë vonesë për administrimin e vendimit zyrtar të gjykatës së Matit dhe heqjen e mandatit për kreun e bashkisë së Matit Agron Malaj”, tha Bardhi.
Vendimi i dënimit
Kërkesa e PD-së drejtuar Prokurorisë
DEKLARATA E SEKRETARIT TË PËRGJITHSHËM TË PARTISË DEMOKRATIKE, GAZMENT BARDHI
Të dashur bashkëqytetarë,
Sot Partia Demokratike i ka kërkuar zyrtarisht Prokurorisë së Përgjithshme verifikimin e të kaluarës kriminale të Edi Ramës së Matit.
Agron Malaj rezulton se ndodhet në kushtet e ndalimit për të kandiduar në një funksion publik.
Ai është i dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për armëmbajtje pa leje, dhe sipas ligjit për dekriminalizimin, i ndalohet kandidimi përjetë në një funksion publik.
Ky është rasti i pestë pas atij të Shkodrës, Vorës, vaut të Dejës dhe Mallakastrës, që konfirmon se Edi Rama ka ardhur në pushtet falë mbështetjes së krimit dhe ndan pushtet me krimin.
Ky është vendimi i Gjykatës që konfirmon dënimin me vendim gjyqësor të formës së prerë të Agron Malajt, të kandidatit të Edi Ramës për Bashkinë e Matit.
Partia Demokratike i kërkon Prokurorisë së Përgjithshme dhe më pas Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve të veprojë pa asnjë vonesë me administrimin zyrtar të vendimit të Gjykatës së Matit dhe për heqjen e menjëhershme të mandatit për Kryetarin e Bashkisë së Matit, Agron Malaj.
Sot është koha që ligji të veprojë, dhe është koha që Edi Rama të mos fshihet pas Agron Malajt, Qerim Ismailajt, Valdrin Pjetit, Agim Kajmakut apo Mark Babanit por të dalë dhe të marrë përgjegjësi dhe t’u shpjegojë qytetarëve shqiptarë se përse alternativa e tij e vetme është krimi.
Përse kandidon në bashkitë bastion të Partisë Demokratike individë me të shkuar kriminale, përse tenton të fusë në politikë individë me të shkuar kriminale.