Dekriminalizimi, Xhafaj: Qesharak dhe pa efekt
Fatmir Xhafaj, kryetari i Komisionit të Ligjeve dhe i atij për Reformën në Drejtësi thotë se ka kundërshtuar në forumet e Partisë Socialiste para zgjedhjeve të 2013-ës futjen në listën e deputetëve të kandidatëve të përfolur si të inkriminuar.
Deklaratën, deputeti socialist e bëri në Top Story-n e kësaj të enjteje.
“Është e turpshme kjo që ka ndodhur në Parlamentin shqiptar, në sensin që janë ulur në Parlament njerëz me precedentë të rëndë penalë. E kam mbajtur një qëndrim për këtë çështje para zgjedhjeve në 2013 brenda forumeve të Partisë Socialiste. I kam bërë vërejtjet në një forum kolegjial”, tha ai duke iu përgjigjur me “Po” pyetjes së Sokol Ballës nëse e kish fjalën për emrat e përfolur.
Xhafaj deklaroi për herë të parë se përse bojkotoi seancën parlamentare kur u miratua ligji i dekriminalizimit.
“Ajo që e bën të dhimbshme dhe qesharake gjithë këtë histori është mënyra sesi është trajtur gjithë ky proces, që më ka bërë të jem reagues. Unë nuk votova në Parlament për këtë ligj, jo se jam kundër këtij ligji, por nuk mendoj që pavarësisht kauzës, lufta duhet të justifikohet përmes normave kushtetuese dhe procedurave parlamentare sepse rrugë të tilla çojnë gjithmonë në ligje klienteliste dhe zgjidhje të gabuara si kjo që ndodhi. Rruga që u ndoq ishte e gabuar, u ndryshua Kushtetuta në 7 nene më keq se në 2008-n, kanë ardhur propozimet të mërkurën dhe deputetët i kanë lexuar të enjten”, tha Xhafaj.
Deputeti socialist tha se më shumë sesa dekriminalizimi, me rëndësi për shqiptarët është lufta kundër korrupsionit politik dhe reforma në drejtësi.
Kreu i Komisionit të Ligjëve, që mban edhe postin e anëtarit të Këshillit të Rregullores, duke iu referuar kërkesës së Partisë Demokratike për të ngritur një ligj për të përjashtuar deputetët e inkriminuar që rikthehen në Kuvend tha se kërkesa po bëhet për një individ të vetëm.
“S’mund të bësh ti ligj për të nxjerrë nga Kuvendi një person të vetëm”, tha ai.
Kërkësat e opozitës, Xhafaj i lexoi si zhurmë për të zhvendosur vëmendjen nga reforma në drejtësi.
“Maxhoranca i la dorë të lirë opozitës për të gjitha aktet që do të shoqëronin ligjin, por PD zgjodhi të bëjë politikë me to dhe e gjithë zhurma me dekriminalizimin po bëhet për të larguar vëmendjen nga reforma në drejtësi”, shtoi ai.
Por a do të ketë efekt ligji i dekriminalizimit? Për këtë, Fatmir Xhafaj ka një përgjigjie të shkurtër.
“Ashtu siç është ndërtuar dhe ashtu siç është miratuar nuk do të ketë asnjë efekt”, thotë ai.
KOHA JONË SONDAZH

