Demokraci e negociuar

Nga Fatbardh Kadilli
E gjithë ajo çfarë sot jetojmë politikisht në Shqipëri është një demokraci e negociuar! E tillë nisi dhe ashtu vazhdon.
Përkundër narrativës zyrtare, që për fat të keq ende dominon debatin mediatik, ajo që sot e quajmë demokraci është thjesht produkt i një tranzicioni të negociuar. Narrativa zyrtare mbahet në këmbë nga ata që negociuan demokracinë me udhëheqjen komuniste në vitet 90-91. Ata janë ende sot drejtuesit politikë të dy krahëve, PD dhe PS, ata janë dhe figura publike, personazhe apo jo aktive të kohës. Të gjithë, por sidomos udhëheqësit politikë vazhdojnë të përfitojnë nga statusi që i kanë dhënë vetes si prurës dhe kampionë të demokracisë, kur na fakt janë vetëm negociatorë.
Ata negociuan me pushtetin që po binte, ata negociuan tranzicionin. Karta që kishin në dorë ishte presioni i shoqërisë, ishte forca e popullit. Ishte forca e lëvizjes që nisi nga shoqëria vet, që nisi nga njerëz të thjeshtë, por shumë më të qartë politikisht se ata “udhëheqësit” që e gllabëruan dhe e kalëruan lëvizjen.
Këto mendime mu rikthyen tek dëgjoja incizimin e një bisede të ndodhur 32 vjet më parë mes Berishës, Ramës, Azem Hajdarit dhe Sali Shijakut. Në atë bisedë janë përfshirë dy nga figurat që sot kontrollojnë ende pushtet të madh. Kur e dëgjon atë incizim, dy gjëra bëhen të qarta: e para, “udhëheqësit” nuk kanë asnjë koncept politik dhe, e dyta, nuk ka lidership, nuk janë udhëheqës.
Si fillim, që të tre në bisedë janë shumë larg nivelit politik të shoqërisë së asaj kohe. Niveli politik i atyre është edhe më i dobët se niveli politik i bisedave që bëhen kafeneve. Flasin ende për “luftë kundër burokracisë”, i qajnë hallin Ramiz Alisë se “ka peshë të madhe mbi shpatulla”, sugjerojnë se mund të kishte bërë këtë apo atë lëvizje në avantazh të tij, flasin për figurën e Enverit si çështje vetëm e kultit të individit. Dhe kur? Një muaj pasi janë shpallur si udhëheqës të PD dhe kanë marrë kontrollin e Lëvizjes Demokratike.
E dyta, nuk kanë asgjë prej lideri dhe as lidership. Nuk janë ata që e thirrën popullin. Populli ishte në rrugë. Populli po përballej me regjimin. Populli ishte i qartë dhe i guximshëm. Kërkonte ndryshimin e sistemit, kërkonte demokraci dhe liri. Ndërsa këta ishin thjesht njerëz që kishin qasje, ishin të afërt me pushtetin e kohës dhe notonin në mes dy palëve, mes Partisë së Punës dhe Ramiz Alisë në një anë dhe popullit që kërkonte ndryshimin dhe po përplasej me diktaturën me guxim në anën tjetër.
Për ata që duan t’u veshin kostumin e lidershipit që priu demokracinë po ju kujtoj se populli ishte përplasur me regjimin në Shkodër, në Kavajë, në Tiranë. Më shumë se pesë mijë njerëz u futën në ambasada. Studentët shpërthyen pa ndihmën e pedagogëve, në mos të penguar nga ata. Shpallën kërkesa.
Kush nga këta udhëheqës foli? Kush nga këta u mblodh dhe krijojë një grup, një klub, një rreth njerëzish që të dilte me kërkesa politike? Asnjë. Nuk e thirrën këta Ramiz Alinë dhe t’i kërkonin llogari, t’i kërkonin largimin, t’i kërkonin pluralizmin. I thirri ai dhe i futi në jetën politike, u dha suport duke i hapur gazetat dhe median. Prandaj ajo bisedë e incizuar rastësisht na provon se nuk kishte lidership.
E vetmja gjë që kanë të qartë këta bashkëbisedues është përpjekja për pushtetin. Në çdo fjalë del e qartë se kemi të bëjmë me njerëz që duan të menaxhojnë popullin, të menaxhojnë lëvizjen kundër komunizmit dhe ta përdorin popullin që po përballet si kartë në avantazhin e tyre në negociatën me pushtetin. Që të jenë këta dhe askush tjetër në tavolinën ku rrinte ulur pushteti. Qe të negociojnë tranzicionin nga duart e komunistëve tek këta.
Prandaj demokracia jonë filloi dhe mbeti nje demokraci e negociuar.
Nuk do kishte asnjë rëndësi një bisedë rastësore mes Berishës, Ramës dhe Azemit, ku më i qartë është artisti Sali Shijaku. Por, kjo bisedë është një provë më shumē pse jemi nē këtë gjendje edhe sot. Sepse lëvizja demokratike arriti vetëm minimumin e mundshëm, ndryshimin formal të sistemit. Por nuk ndryshoi asgjë nga sjellja e politikanëve, nuk e demokratizoi realisht sistemin tonë politik. Pavarësisht se ndryshuam nga diktaturë në demokraci pluraliste, sistemi politik ishte i mbyllur dhe mbeti i mbyllur. Sistemi kontrollohet edhe sot, siç kontrollohej nga pak njerëz që kanë afërsi me pushtetin. Këta kontrolluan rrjedhat politike ekonomike, këta i kontrollojnë. Prandaj nuk ndrrojnë drejtuesit. Prandaj vazhdojnë të emërojnë njëri tjetrin. Prandaj nuk ndrron loja politike. Nuk ndrron sjellja dhe fjalori politik. Prandaj dhe rotacioni ka humbur vlerën reale. Sepse nuk sjell ndryshimet që presim, sepse sistemi nuk demokratizohet, nuk hapet.
Rrezikojmë të mbetemi gjatë në këtë demokraci të negociuar dhe të kontrolluar. Duhet një ndryshim i thellë. Ndryshim që nuk vjen nga negociata me “kastën” dhe as nga mirëkuptimi i “kastës”. Ndryshimi vjen nga forca, besimi dhe aksioni i atyre që kanë guximin që të çlirohen nga “kasta”. Ndryshimi vjen nga përmbysja e “kastës”. Ky është imperativ i kohës për shoqërinë. Por edhe më shumë, kjo është thirrja për ne që kemi zgjedhur të jemi të angazhuar. Ndryshe do të vazhdojmë të jetojmë në demokracinë e negociuar.

SHKARKO APP