Denaj me bizneset gjermane: Qeveria ofroi ndihmë të menjëhershme për sipërmarrjen gjatë pandemisë
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, mori pjesë në takimin virtual me temë “Reflektim dhe diskutim mbi situatën aktuale të biznesit”, organizuar nga DIHA, ku ishin prezent edhe Ministri për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Eduard Shalsi, si dhe Ambasadori Gjerman në Shqipëri, Peter Zingraf.
Gjatë këtij takimi, ministrja Denaj nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit të të gjitha palëve, për të përmirësuar hap pas hapi situatën e vështirë në të cilën ndodhet jo vetëm ekonomia shqiptare, por edhe ajo globale. Ajo u shpreh, se Qeveria Shqiptare e ka vlerësuar rëndësinë e përshtatjes sa më të shpejtë me situatën dhe transformimin e ekonomisë për ta përballuar atë me sa më pak pasoja, duke reaguar jo vetëm me pagesa direkte, por edhe me fonde garancie. Gjithashtu situata e tregut të punës dhe mbështetja e SME-ve kanë qenë në vëmendjen e Qeverisë. Ministrja përmendi edhe planin e veprimit për zhvillimin e tregtisë elektronike, digjitalizimin e bizneseve, mbështetjen e start-ups në bashkëpunim me GIZ, si dhe bashkëpunimin me organizata ndërkombëtare si Kfw apo EBRD, për të përmirësuar aksesin e bizneseve në mundësi financimi.
Ambasadori Gjerman, Peter Zingraf, theksoi në fjalën e tij, se “edhe pse vëllimi tregtar mes Gjermanisë dhe Shqipërisë vitet e fundit është rritur dhe në rrugën e integrimit në BE janë ndërmarrë hapa të rëndësishëm reformash, një pjesë e madhe potenciali vazhdon të mbetet e pashfrytëzuar. Vendimtare këtu janë siguria ligjore dhe transparenca. Vijimi i reformës në drejtësi dhe asaj në administratë vazhdojnë të jenë me rëndësi thelbësore për demokracinë, ekonominë dhe integrimin evropian. Në këtë rrugë Shqipëria mund të vazhdojë të ketë besim në mbështetjen e Gjermanisë”.
Ministri për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Eduard Shalsi nënvizoi rëndësinë e veçantë që ka patur komunikimi i vazhdueshëm dhe intensiv gjatë gjithë periudhës së pandemisë me sipërmarrjen duke vizituar dhe dialoguar në mjediset e tyre të punës për të kuptuar dhe adresuar problematikat e tyre.
Në fjalën e saj përshëndetëse, Presidentja e DIHA-s, znj. Stephanie Sieg falënderoi Qeverinë për bashkëpunimin e deritanishëm dhe mbështetjen e ofruar në këtë situatë të vështirë për të gjithë.
Drejtori i DIHA-s, Bledar Mankollari prezantoi rezultatet e anketimit mbi ndikimin e COVID-19 në ekonomi, i cili u zhvillua në nëntor 2020 me kompanitë anëtare të DIHA-s.