Dënimi i Frrokajt, Flamur Noka: Pjesë e fushatës së Ramës. Pse SPAK nuk heton kryebashkiakët e Rilindjes?
Gjykata e Apelit në Shkodër, këtë të premte dënoi me 3 vite burg ish-kryetarin e Bashkisë së Lezhës, Fran Frrokaj. Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka e cilëson dënimin si fushatë të kryeministrit Edi Rama.
Ai përmes një reagimi në facebook, pyet edhe pse SPAK-u nuk heton kryebashkiakët e Rindjes. Për Nokën, mbrojtja kryeministrore që u ofrohet atyre, nuk mund të sjellë pandëshkueshmëri.
”Mbrojtja kryeministrore që u ofrohet nuk mund të sjellë pandëshkueshmëri. Ligji duhet të funksionojë pa ndikim e pa selektim, ndërsa drejtësinë e vërtetë do ta bëjnë qytetarët me votën e tyre më 14 Maj”,-shkruan Noka në një postim në facebook.
Postimi i plotë nga Flamur Noka
Dënimi i Fran Frrokajt sot nga gjykata, është i dëshiruar nga qeveria dhe levat e Edi Ramës, që e kanë shtuar presionin ndaj bashkiakëve demokratë në vigjilje të fushatës për zgjedhjet vendore. Rama synon të trembë e të pengojë faktorët opozitarë, një mënyrë byzantine e njohur tanimë, e përdorur nga ai prej kohësh. Ndërkaq, nuk ka se si të mos vihet re që:
-Kryebashkiakë socialistë që kanë sjellë falimentimin e njësive të tyre vendore
– Janë përfshirë në aferën më të madhe korruptive në vend, të inceneratorëve.
– Nuk preken nga drejtësia, madje janë në krye të përpjekjes së Rilindjes për të mbajtur sërish pushtetin me cdo kusht e me çdo mjet.
U bëj thirrje organeve të drejtësisë, e në veçanti SPAK-ut, të shohë e të shqyrtojë abuzimin dhe korrupsionin madhor të shumë prej të besuarve të Ramës nëpër bashkitë e vendit. Mbrojtja kryeministrore që u ofrohet atyre, nuk mund të sjellë pandëshkueshmëri.
Ligji duhet të funksionojë pa ndikim e pa selektim, ndërsa drejtësinë e vërtetë do ta bëjnë qytetarët me votën e tyre më 14 Maj.