Dënimi i poetes Mimoza Ahmetit, Rama: Dosjet e ndërtimeve pa leje flenë të patrazuara. Prokuroria godet më të dobëtit

Poetja e dashur për të gjithë, Mimoza Ahmeti me kërkesë të Prokurorisë së Tiranës u dënua nga Gjykata për ndërtim të paligjshëm. Pa marrë parasysh as profilin e saj dhe as faktin që banesa e poetes së mirënjohur ishte dëmtuar nga tërmeti, gjykata urdhëroi që Mimoza Ahmeti të kryejë punë me interes publik për 40 orë.

Kryeministri Edi Rama thotë se Prokuroria e Tiranës e dënon me zell poeten, por që dosjet e denoncimeve nga organet shtetërore për ndërtime të paligjshme flenë të patrazuara.

”Çdo ndërtim pa leje është i dënueshëm me ligj, po zelli milimetrik në dënimin e atyre që e shkelin ligjin në pronën e tyre të bën për të vjellë përballë mosveprimit sistematik të Prokurorisë së Tiranës ndaj atyre që për qëllime fitimi bëjnë shkelje kilometrike”,-shkruan Rama.

Postimi i plotë i Edi Ramës:

Pas një këngëtari, ja edhe një poete që dënohet me zell nga pikërisht Prokuroria e Tiranës, ku dosjet e denoncimeve nga organet shtetërore për ndërtime të paligjshme për qëllim fitimi apo për evazion fiskal me miliona USD dhe për pastrim të miliona USD, flenë të patrazuara!

Patjetër që çdo ndërtim pa leje është i dënueshëm me ligj, po zelli milimetrik në dënimin e atyre që e shkelin ligjin në pronën e tyre të bën për të vjellë përballë mosveprimit sistematik të Prokurorisë së Tiranës ndaj atyre që për qëllime fitimi bëjnë shkelje kilometrike! Tamam “mbretëri xhuxhash” ai organ drejtësie me të dobëtit dhe dobësie me të fortët.

SHKARKO APP