Dënimi i Shqipërisë me 44 mln euro për rrugën Tiranë-Elbasan. Reagon Taulant Balla
Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Taulant Balla deklaron se do të padisë median dhe Partinë Demokratike për akuzat lidhur me ndërtimin e rrugës Tiranë-Elbasan.
Në një reagim për vendimin e Gjykatës së Arbitrazhit, e cila dënoi Shqipërinë me 44 milionë euro, Balla shprehet se akti i gjykatës lidhet me projektet e papërfunduara të kësaj rruge gjatë qeverisjes së PD-së.
“Portali i djalit të Saliut dhe partia e Lulit të Saliut duhet të kuptojë që arbitrazhi për rrugën Tiranë-Elbasan përmban kontrata të realizuara nga Saliu, ish-Ministri i Transporteve i asaj kohe si dhe shtesa kontratash të kërkuara nga Saliu me gojë. Kështu ishin të gjitha rrugët e lëna e rrugëve. Sa për mua personalisht unë e di rrugën që duhet ndjekur me sojin e tyre. Quhet Rruga e Gjykatës dhe në stacionin e radhës pres me kënaqësi të përballem edhe me portalin e djalit të Saliut edhe me partinë e Lulit të Saliut. Të jetë drejtësia atje ku do dalë në shesh përsheshi i radhës”,– shprehet Taulant Balla.
Ditën e sotme PD deklaroi se: “44 milion euro është fatura e re që do të paguajnë shqiptarët për Edmond Begon, mikun e Taluant Ballës dhe të Edi Ramës. Gjykata e Arbitrazhit Ndërkombëtar ka dënuar shtetin shqiptar pas padisë së kompanisë greke Aktor, e cila kishte fituar tenderin për të kryer punimet në rrugën Tiranë-Elbasan.
Kompania greke ishte kontraktuar nga qeveria shqiptare për të bërë punimet shtesë, por Edi Rama në mënyrë që të favorizonte kompaninë e mikut të tij dhe të Taulant Ballës “Inerte Ekspress” te Begos vuri gjoba, bëri presion dhe tentoi që të largonte kompaninë Greke Aktor e cila mbasi mori nënkontraktorët e imponuar nga qeveria u largua pa marrë asnjë pagesë“.
https://www.facebook.com/b.taulant/posts/3320031078042470