Denoncimi, PD: Ja si mbusheshin kutitë me vota për Bazhdarin!

Sikur të mos mjaftonin presionet apo akuzat për blerje votash, në një video të publikuar nga Partia Demokratike, denoncohen zgjedhjet në bashkinë Shkodër ku kutitë e votimit mbusheshin masivisht nga komisionerët. Edhe pse kandidatja e majtë Keti Bazhdari humbi në këtë zgjedhje, PD me anë të kësaj videoje denoncon fenomenin, që në fakt ka qenë shqetësues në zgjedhjet që zhvillohen në Shqipëri.

“Partia Demokratike publikon sot një provë se si pushteti masakroi standardin për zgjedhje të lira më 21 Qershor.

Në komunën Pult të bashkisë së re të Shkodrës, kutia e votimit nr. 0092 të fshatit Brucaj është tejmbushur me vota nga komisionerët e Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Në videon që po transmetojmë dhe që po ia vëmë në dispozicion gjithë medias, duket qartë që komisionerët e majtë kanë mbushur duart me fletë votimi dhe votojnë në masë dhe me qetësi të plotë. 2 komisionerët e Partisë Demokratike janë nxjerrë forcërisht jashtë komisionit të votimit.

Në kutinë e votimit u gjetën 388 fletë votimi, kur në votim kishin firmosur 377 persona.

Në zgjedhjet e vitit 2013, në këtë qendër votimi morën pjesë 125 votues.

Rezultati për këtë qendër votimi me fletë të hedhura në kuti flet qartë për shkallën e madhe të manipulimit të zgjedhjeve nga pushteti. Për kandidaten e majtë Keti Bazhdari janë 331 vota ose rreth 88 %, 2 vota për kandidatin e pavarur ndërsa për kandidaten fituese Voltana Ademi vetëm 44 vota.

Partia Demokratike i bën thirrje Prokurorisë të nisë menjëherë procedimin penal ndaj komisionerëve që me urdhër mbushën kutinë e votimit për kandidaten e pushtetit. I bëjmë thirrje misionit të OSBE/ODIHR të marrë në ngarkim këtë provë të shkatërrimit të standardit të zgjedhjeve të lira në Shqipëri,” tha deputeti i PD, Eduard Halimi.

SHKARKO APP