Departamenti Amerikan i Shtetit thirrje BE-së: Hapni bisedimet me Tiranën e Shkupin!
Në mesin e amullisë së deklaratave dhe pasigurisë rreth fillimit të negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut që prodhoi samiti i pasuksesshëm BE-Ballkani Perëndimor në Bruksel, administrata amerikane del me një qëndrim të qartë.
Për Uashingtonin, afrimi i rajonit me bllokun europian është e një rëndësie kyçe, dhe kjo, në kancelaritë europiane, nuk duhet harruar.
“Konsiderojmë se kredibiliteti i perspektivës së zgjerimit të BE-së është me rëndësi jetike për stabilitetin dhe prosperitetin e Ballkanit Perëndimor”, deklaruan burime nga Departamenti Amerikan i Shtetit për agjencinë maqedonase të lajmeve, Mia.
DASH thekson më tej se SHBA vijon të ofrojë mbështetje për çeljen e bisedimeve për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë sa më shpejt të jetë e mundur. Edhe pse u trumpetua me të madhe se diçka positive do të mbërrinte këtë radhë, nga fronti perëndimit nuk pati sërish asgjë të re për dy vendet e rajonit, që presin prej vitesh kalimin në një stad tjetër të rrugës drejt BE-së.