Deputetë të PD ikin në burg dhe takojnë Salianjin
Zheni Gjergji, Dhurata Çupi dhe Saimir Korreshi, të tre deputetë të PD-së, ishin sot në burgun e Fierit ku janë takuar me Ervin Salianjin. Përmes një postimi në rrjetet sociale, deputetja Zheni Gjergji flet mbi gjendjen e deputetit dhe mesazhet e përcjella nga burgu. ”Shqipëria po përjeton ditë aspak të mira sa i takon shtetit të së drejtës dhe lirive të individit dhe kolegu Salianji është reflektimi më i pastër i rikthimit të dënimeve dhe burgosjeve politike. Nënkryetari i grupit parlamentar të PD dhe drejtuesi politik i qarkut të Elbasanit sot është në burg jo se ka vjedhur paratë e taksapaguesve shqiptarë. Salianji sot nuk është në burg se ka përfituar tendera apo se ka të kaluar kriminale”,-shkruan Gjergji në një postim në Facebook.
Postimi i plotë
E vërteta s’mund të prangoset. Sot bashkë me kolegët Dhurata Çupi dhe Saimir Korreshi vizituam në ambjentet e I.E.V.P Fier, kolegun tonë Ervin Salianji! Kam mbetur e befasuar nga optimizmi dhe forca që kam konstatuar tek Ervini përgjatë gjithë asaj bisede që kemi zhvilluar. Nuk është e lehtë për një djalë të ri, të shkolluar, ambicioz, për një politikan të ri, ta gjej veten në ato rrethana izolimi, por Ervini na dha shumë pozitivitet dhe optimizëm në gjithë bisedën.
Shqipëria po përjeton ditë aspak të mira sa i takon shtetit të së drejtës dhe lirive të individit dhe kolegu Salianji është reflektimi më i pastër i rikthimit të dënimeve dhe burgosjeve politike. Nënkryetari i grupit parlamentar të PD dhe drejtuesi politik i qarkut të Elbasanit sot është në burg jo se ka vjedhur paratë e taksapaguesve shqiptarë. Salianji sot nuk është në burg se ka përfituar tendera apo se ka të kaluar kriminale.
Ervini sot është në burg se guxoi dhe ngriti zërin për vëllain e ish-ministrit të Brendshëm, të dënuar për trafik droge. Heqja e lirisë është nga njëra anë një nga aktet më të rënda që mund t’i shkaktohet një individi, ndërkohë nga ana tjetër sakrifica e Salianjit është dhe duhet të jetë për të gjithë ne kolegët e tij një mesazh i fortë rezistence. Dua t’i përcjell përshëndetjet më të përzemërta të Ervin Salianjit nga I.E.V.P Fier për të gjithë demokratët.