Deputetët e PD në QSUT: ”Mungesë ilaçesh dhe aparaturash”
Në një takim në Spitalin e Onkologjisë në QSUT, Kryetarja e Komisionit të Shëndetësisë dhe Çështjeve Sociale, Albana Vokshi së bashku me deputetët e PD-së Albina Deda dhe Bedri Mihaj, vëzhguan nga afër kushtet dhe trajtimin e pacientëve dhe u shprehën se gjendja është kritike. Deputetët janë shprehur se ishte dhënë urdhër nga Ministria që asnjë nga stafi mjekësor të mos i shoqërojë deputetët. Gjithashtu deputetët janë takuar dhe me pacientë të cilët janë shprehur se ilaçet janë të shtrenjta dhe nuk i përballojnë dot.
“Jam kryefamiljare me dy vajza të vogla. Njërën 6 vjeç dhe tjetrën 10 vjeç që i kam mbyllur në shtëpi. Jam me ndihmë ekonomike prej 35 mijë lekësh dhe po pres ende këtu. Kurën e ndërpreva prej 4 muajsh sepse nuk kisha mundësi. Tani e kam nisur përsëri”, tha një paciente.
“Ju i patë vetë radhët e gjata të pacientëve që presin, e që kanë ardhur nga skajet e Shqipërisë, që mbërrijnë që në orët e para të mëngjesit dhe ende nuk kishin pasur mundësi të vizitoheshin. Takuam pacientë që jo vetëm nuk kishin marrë kurën apo kimion falas, por ishin detyruar që barnat ti blinin që janë shumë të shtrenjta deri në 300 mijë lekë. Dua të theksoj se ndërsa Rama dhe Beqaj japin 338 milionë euro për klientë, sponsor dhe miq të tyre, pacientët dergjen dyerve të spitaleve pa marrë, jo shëndetësi falas, por asnjë kurë qe atyre u takon. Kësaj qeverie nuk i intereson as kujdesi dhe as jeta e pacientëve shqiptarë por u intereson të përvetësojnë sa më shumë pasuri për veten e tyre”, tha Vokshi.
Ndërsa deputetja Albina Deda u shpreh se ka mungesa në aparatura edhe pse Ministri i ka inauguruar më parë por që dhe sot e kësaj dite nuk janë vënë në punë. “Mungesë vullneti, pashirtësi, dhe inicim te privati për ekzaminime dhe kimioterapi që i paguajnë vetë pacientët”, tha Deda
R.Sh
KOHA JONË SONDAZH

