Deputetët pro Alibeajt, por që mbështesin kandidatët e Berishës për 14 majin
PD-ja do të dalë me dy kandidatë për zgjedhjet lokale të 14 majit. Kryetari Sali Berisha i ka gati kandidatët në të gjitha bashkitë, që dolën përmes proçesit të Primareve. Alibeaj nga ana e tij ka thënë se grupimi që ai drejton do të ketë kandidatë në gjithë bashkitë, por deri më tani i ka prezantuar vetëm në 9 bashki, kryesisht njësi të vogla.
Janë të paktën 4 deputetë që deri më tani njohin Alibeajn si kryetar të grupit parlamentar, por që për 14 majin po mbështesin kandidatët e Berishës të dalë nga Primaret. Ilda Dhori në Divjakë ka dalë haptazi në mbështetje të kandidatit Aurel Malko. Edhe deputeti i Devollit, Bledjon Nallbati të njëjtën gjë ka bërë për garën në këtë bashki. Deputeti demokrat po udhëheq fushatën për kandidatin e dalë nga primaret Elvis Hajdërlli.
Edhe Dashnor Sula në Peqin e Belsh, apo Dhurata Çupi në Mat. Të dy deputetë në grupin e Alibeajt, por që mbështesin kandidatët e Berishës. Me interes të veçantë pritet të shihet kandidati që do të dalë për Malësinë e Madhe, ku prej kohësh përflitet emri i deputetit Ramadan Lika.