Deputeti Agron Çela largohet nga Partia e Lirisë, bashkohet me Partinë Socialiste
Lëvizjet dhe firot në partitë politike nuk ndalojnë. Një deputet ikën, një kthehet, një parti shkrihet dhe krijohet prapë mbi pluhurin e së parës, një parti historike copëtohet dhe rrihet, ashtu siç ka parti që centrohen më fort rreth liderit.
Kjo është tabloja politike shqiptare.
Deputeti i Partisë së Lirisë në Shkodër, Agron Çela, i është bashkuar Partisë Socialiste.
Sipas burimeve, mësohet se pak ditë më parë deputeti Çela dhe kreu i qeverisë kanë zhvilluar një takim mes tyre ku edhe është zyrtarizuar bashkimi i tij me PS-në.
Në këtë mënyrë në zgjedhjet vendore të 14 majit të vitit të ardhshëm deputeti Çela do të mbështesë në Shkodër kandidatin e Partisë Socialiste, që siç është përfolur kohët e fundit do të jetë Benet Beci.
Me ardhjen e Agron Çelës, PS-ja në Kuvend bëhet me 74 deputetë dhe koalicioni i majtë së bashku me PSD-në shkon në 78 deputetë.
Ndërkohë PL zbret në tre deputetë. PD akoma mbetet e përçarë.