Deputeti Agron Gjekmarkaj: Nuk jam dakord me fortifikime në PD, Basha të dalë në bazë te njerëzit
Deputeti i PD-së Agron Gjekmarkaj gjatë mbledhjes së Kryesisë mbrëmjen e së hënës, ka thënë se fortifikimi nuk është zgjidhje, por duhet diskutim dhe hapje e partisë. Po ashtu ai ka theksuar se ata që drejtuan turmën, nuk i llogaritën as për miq e as për kolegë ata brenda dhe se nuk mund të bashkëjetojë dot me ta në një parti.
Fjala e plotë e Agron Gjekmarkajt:
Dëgjova me vëmendje parafolësit! Po e filloj aty ku e la Xhelali, tek dalja në terren. Ne kemi dalë në takime me njerëzit, nuk jemi mbyllur, por i pari që e ka këtë detyrim më shumë se kushdo është Lulzim Basha. Sali Berishës i lejuat përparësinë e sulmit. Ju jeni Kryetari i partisë dhe ju u bie detyrimi t’i sqaroni njerëzit i pari, vimë edhe ne në krahun tuaj. Mbase nuk është e lehtë, do ketë edhe duf, edhe sherre, edhe provokime, por duhet që t’i përballojmë. Qytetarët duhet t’ju dëgjojnë dhe jam i bindur që komunikimi sjell pozitivitet.
Nuk jam dakort me fortifikime të PD, për ta parë atë si kështjellë. Partia Demokratike është një institucion. Atë duhet ta mbrojë ligji pa asnjë kompleks. Nëse duhej demostruar qëndresë, deri tani është demostruar. Për mua është kriminale të përballen njerëzit tani e tutje. Unë nuk mendoj se jam ndonjë trim i madh, por as për frikacak se njoh veten, por nuk jam stërvitur për karate e boks.
Dita e 8 Janarit ka qenë tragjike. Në pak minuta gjithçka mund të eskalonte në ferr. Ata njerëz që drejtuan turmën kundër nesh nuk na llogaritën ne as për deputet, as për koleg, as për miq e as për njerëz. Nuk patën emocione për këtë. Ishin të qartë, pa llogaritur që na kanë “shkarkuar” me 11 Dhjetor.
Na sulmuan me egërsi, me mjete dhune faqe gjithë botës. Ndonjë e dija për mik, dhe unë kurrë nuk do shkoja ta sulmoja dhe t’i vija në rrezik jetën e integritetin personal e publik. Sado i krishterë që ndihem kulturalisht e kam të vështirë bashkëjetoj me persona të tillë. Ndaj mbështes çdo vendim që kjo kryesi merr sonte për të ndëshkuar dhunën e datës 8 Dhjetor duke shpresuar që dikush do distancohet prej saj.
PD nuk jua kishte borxh atë dhunë, ne jojo, e Shqipëria jo e jo. Prania në politikë këto muaj të trishtë më ka mësuar ndonjë gjë. Përveç punicionit (ndëshkimit) të detyruar duhet një ofertë politike, një zgjidhje! Do ju thoja Zoti Basha ikni nëse kjo do ishte zgjidhja, nuk e them këtë sepse ikja jua lë fushën bosh për një kundërshtar që i ka shpallur luftë perëndimit dhe luftë fizike ne të gjithëve.
Por kjo Parti ka nevojë të bëhet dhe kjo nuk bëhet me njerëz që ju bëjnë komoditet ju, ka nevojë që secili këtu të vihet në diskutim, të gjitha këto organe, duhet të rikthehen te njerzit te PD-ja, personalitetet, themeluesit. Kemi folur gjithmonë për bashkim e ai s’ka ndodhur. Bashkim nuk do të thotë të mbash fjalime. Bashkim e hapje nuk do të thotë që të vijnë te kafja e PD e të pijnë kafe me ne. Bashkim do të thotë të ketë Kuvend, riformatim të Këshillit Kombëtar, të kryesisë së PD edhe ata që janë krah jush në vendimarrje.
Nuk është konformizmi, sado i pëlqyesh që ju rikonfirmon si Kryetar legjitim apo si Kryeministër nesër, por debati, tensioni i vazhdueshëm, personalitetet e forta. Njerzit duan ofertë politike, projekt, vizion si del nga kjo gjendje PD dhe Shqipëria. Duke përfunduar i bashkohem frymës së kësaj mbledhjeje pa ekuivok mëqenëse abstenimi për ndonjë mik nuk është obsion.