Deputeti Baçi zbulon si do të veprojë PD pasi humbi Himarën: Berisha nuk e drejton dot partinë nga shtëpia!

Pas humbjes së PD në Himarë, deputeti demokrat Luan Baçi thotë se aksioni do të ndërtohet mbi kërkesën për qeveri teknike pasi zgjedhjet e 2025 nuk mund të zhvillohen me Edi Ramën kryeministër, sepse Himara vërtetoi që socialistët i vjedhin votat.

”Pas zgjedhjeve të bashkisë së Himarës, pas grabitjes së tyre, një shembull tjetër që ne duhet ti thërrasim mendjes që të gjithë se me një kryeministër të tillë nuk mund të bëhen zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe nuk mund të garantojmë fitoren e demokratëve, të mos i mashtrojmë ata. Jo pa qëllim, PD dhe kryetari Berisha e ka artikuluar në çdo dalje të tij se pa qeveri teknike nuk mund të ketë zgjedhje të lira dhe kjo do jetë një nga kushtet kryesore që opozita do të ketë dhe duhet ta ketë. Në muajin shtator PD do të mbledhë strukturat e saj, do të analizojë gjendjen e brendshme të PD në të gjitha seksionet, grupseksionet dhe deri te kryetarët e degëve dhe Kryesia. Ne do të kemi planin tonë për tu përballur me këtë regjim”,-tha në ”A2Cnn”.

Kushti i dytë i demokratëve do të jetë lirimi i kryetarit të tyre, Sali Berisha, në mënyrë që ai të jetë aktiv në takimet në terren, duke qenë se nis edhe përgatitja për fushatën elektorale. ‘‘Përveç qeverisë teknike, kushti tjetër dhe aksionit tjetër i opozitës, qëllimi ynë kryesor duhet të jetë lirimi i kryetarit të PD dhe dalja e tij në terren”.

Baçi u shpreh me rezerva për punën e bërë nga kolegët e tij në rolet drejtuese në PD, duke theksuar se Berisha ka aftësinë të krijojë frymë te populli opozitarë. ”Kontakti fizik dhe dalja në terren e kryetarit të PD nuk mund të barazohet me daljen në terren të dy, tre pesë, apo dhjetë drejtuesve të PD poshtë nivelit të kryetarit”,-tha më tej Baçi. Nuk drejtohet PD nga shpia, nënkuptoi deputeti demokrat.

SHKARKO APP