Deputeti i Bundestagut mesazh BE-së nga Tirana: Mos i shtyni shqiptarët ta gjejnë Europën në vende të tjera
Deputeti i Bundestagut gjerman, njëherësh raporter për Ballkanin Perëndimor në Bundestag, Adis Ahmetoviç, tha në një konferencë para gazetarëve në Tiranë se shqiptarët meritojnë të jenë në të njëjtën tryezë me vendet e Bashkimit Evropian.
Deputeti Ahmetoviç iu drejtua me një mesazh edhe vendeve të BE-së, teksa u tha se “Jepuni njerëzve në Shqipëri ndjesinë e BE-së në vendin e tyre, mos i shtyni që ta marrin këtë ndjesi në vendet e tjera, vetëm se nuk jeni gati për t’i lejuar që të kenë pjesën e tyre në këtë tryezë”.
“Për këtë pyetje jo fort të lehtë, më duhet pak ujë. Dhe unë nuk jam në gjendje të jap një datë. Nuk do të ishte përgjigje e ndershme të flisja për datë. Unë mbështesë integrimin e vendeve të Ballkanit në Bashkimin Evropian. Në këto kohë dinamike me gjithë këto probleme, jo vetëm lufta në Ukrainë, por edhe çështje të tjera të mëdha, na duhet një reformim.
Nuk mund të ndodhë që një vend të vendosë për të ardhmen e një rajoni të tërë, prej 6 vendesh, sepse nuk janë dakord me një ose dy gjëra. Ndoshta në fillim të ndërtimit të këtij Bashkimi Evropian ishte një mendim i mirë për të ndërtuar besim mes vendeve dhe që kishte të bënte me barazinë mes vendeve, por ky sistem vetoje po përdoret shpesh, për çështje egoiste dhe na duhet ta ndryshojmë.
Unë do thoja që Shqipëria duhet të ulet në të njëjtën tryezë me vendet e tjera të BE. Kanë pritur 30 vjet shqiptarët për këtë. Demokracia e re shqiptare, shumë të rinj inteligjentë, që duan të merren me politikë, të punojnë për BE në Shqipëri, në Tiranë, dhe jo në vendet e tjera të BE. Jepuni njerëzve në Shqipëri ndjesinë e BE në vendin e tyre, mos i shtyni që ta marrin këtë ndjesi në vendet e tjera, vetëm se nuk jeni gati për t’i lejuar që të kenë pjesën e tyre në këtë tryezë”, u shpreh deputeti gjerman.