Deputetja Bregu: Terrorizmi në Shqipëri quhet feminicid!
Pas lajmeve të së dielës, ku të paktën 3 raste të dhunës së rëndë ndaj grave u publikuan në kronikën e zezë të lajemve ( mes të cilave një grua humbi jetën nga dhuna e bashkëshortit) ka reaguar edhe deputetja demokrate Majlinda Bregu.
Ajo e ka quajtur këtë dhunë si "feminicid" dhe sipas saj ndaj saj duhet të reagojnë fort të gjitha institucionet në vend.
“Një tjetër grua u vra sot në Fier nga bashkëshorti, një tjetër u godit barbarisht në Bulqizë, një tjetër u godit me gur dje në Rubik, 2 vajza të reja u vranë brenda 2 javëve! Ky është terrorizëm i përditshëm. Ky është feminicid!
I bëj thirrje të gjithë vendimarrësve e politikë-bërësve, duke nisur nga Presidenti, Kryeministri e të vetët në qeverinë që veç strategjive-paradë, dëshpërimin ka rilindur deri më sot, ne në Parlament, pushteti lokal, Prokurori i Përgjithshëm, KLD, Kryetarët e Gjykatave, shoqëria civile e media, të përfshihemi po me aq seriozitet sa duam të përfshihemi në frontin kundër kërcënimit nga terrorizmi në botë, në një shkundje institucionale e të agjensive ligjzbatuese për të bashkërenduar marrjen e masave emergjente dhe afatgjata, kundër këtij terrorizmit të përditshëm që quhet feminicid,”- shkruan deputetja Bregu.
Ndërkohë ditët e para të janarit lajmet nga kronika e zezë kanë patur kryefjalë vrasjen e femrave. Në Vlorë një e re u ekzekutua ditët e para të vitit, sepse kishte refuzuar një kërkesë për lidhje dhe po ashtu në Kuçove në fillim të kësaj jave një 22 vjeçare u qëllua me armë, për shkak të xhelozisë nga i dashuri i saj. Sipas dëshmive, ai e vrau sepse 22 vjeçarja nuk i hapi telefonin.