Deputetja Dhimitri për ”KJ”: Të anulohet 30 Korriku, deputetët me Covid-19. Vrasje e qytetarëve nga shteti
Nga: Redjon Shtylla
Covid-19 ka hyrë në Kuvendin e Shqipërisë dhe ka prekur disa deputetë por seancat e rradhës, përkatësisht nesër dhe 30 Korriku ende nuk janë anuluar. ”Koha Jonë”, kontaktoi me deputeten Fatjona Dhimitri, e cila thotë se Parlamenti duhet të mbyll menjëherë dyert. Sipas saj, nëse kryeministri Edi Rama nuk anulon 30 Korrikun, do të thotë se shteti po vret qytetarët. ”Deputetët në dijeninë apo padijeninë e tyre nëse janë pozitiv ndaj Covid-19, takohen me elektoratin, çka mund të përbëjë vrasje të qëllimshme nga shteti! Nuk duhet ti lejojmë të na vrasin”. Nga ana tjetër, ajo thekson se çdo ndyshim i njëanshëm i Kushtetutës për të kapur pushtetin që cënon interesat e Shqipërisë dhe shqiptarëve nuk do ta ketë votën e saj.
Prononcimi i plotë
Koronavirusi ka hyrë në Kuvendin e Shqipërisë. Kolegë tuaj, kanë bërë me dije se janë prekur nga Covid-19 dhe duhet që Kuvendi të futet në Karantinë apo të shpërndahet?
Nëse është me të vërtetë kaq i rëndësishëm shëndeti i qytetarëve dhe siç e bën kaq tragjike situatën nëpër spitalet tona, Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqënjes Sociale drejtuar nga Znj.Ministre por e diktuar nga Kryeministri, do të ishte e udhës që Kuvendi të mbyllte dyert menjëherë dhe të merren masa urgjente për bërjen e tamponit të gjithë deputetëve, administratës së Kuvendit.
Dy seancat e rradhës përkatësisht të datës 29 dhe 30 Korrik të shtyhen për më vonë. Nuk ka gjë më të rëndësishme sesa jeta e njeriut kushdo qoftë ai apo ajo.
Kushtetuta garanton të drejtën për të jetuar, nëse ne do të vendosim ndryshimet e njëanshme Kushtetuese për të votuar në seancën e 30 korrikut përpara jetës së njeriut, kjo do të thotë se shteti po vret qytetarët e vet pasi deputetët në dijeninë apo padijeninë e tyre nëse janë pozitiv ndaj Covid-19, takohen me elektoratin, çka mund të përbëjë vrasje të qëllimshme nga shteti! Nuk duhet ti lejojmë të na vrasin.
Nga ana tjetër, çfarë mendoni për seancën e 30 Korrikut, do të jepni votën për ndryshimet në Kushtetutë që nuk kanë dakordësinë e plotë të palëve të përfshira në Këshillin Politik?
Siç e kam shprehur dhe në seancë plenare, votën time e kam bërë të qartë duke reflektuar mbi bazën e disa kritereve. Ndryshimet Kushtetuese duhet të jenë të dakortësuara prej të gjithë subjekteve politike dhe të çertifikuara nga faktori ndërkombëtar, BE, SHBA si mbartës e garant të vlerave demokratike. Çdo ndyshim i njëanshëm i Kushtetutës për të kapur pushtetin që cënon interesat e Shqipërisë dhe shqiptarëve nuk do ta ketë votën time.