Deputetja e Bashës ashpërson gjuhën ndaj grupit të Bardhit: Pse ndryshoi qëndrimi ndaj Berishës
Përpjekja e Sali Berishës për të bashkuar grupin e Rithemelimit me grupin e Gazment Bardhit, është komentuar ashpër nga deputetja Oriola Pampuri, pjesë e grupit të Bashës. Në një intervistë në ”Euronews Albania”, Pampuri kërkoi nga kreu i grupit parlamentar, që të japë sqarime përse ndryshoi qëndrim ndaj Berishës së shpallur ”non grata”.
“Këta që janë sot si luftëtarët e mëdhenj të bashkimit, kanë qenë luftëtarët më të mëdhenj kundër non gratës. Dhe të themi të drejtën, lëvizje me një shpejtësi marramendëse qëndrimesh në politikë të japin të kuptosh një lloj paqëndrueshmërie. Ata që sot kërkojnë bashkimin e grupit parlamentar duhet më parë të shpjegojnë përse ngulën këmbë të ishin deri këtu”, tha Pampuri.
Të shtunën nën drejtimin e Lulzim Bashës do të mbahet kuvendi i Partisë Demokratike që ka në rendin e ditës ndryshime në statutin e partisë dhe zgjedhjen e kuvendit kombëtar.