Deputetja e PD-së debat me ministren e Kulturës për Butrintin: Jepni me koncesion ministrinë tuaj, institucion i paaftë

Deputetja e PD-së, Ina Zhupa, ka zhvilluar sot interpelancë me ministren e Kulturës, Elva Margariti, lidhur me koncesionin për parkun e Butrintit.

Zhupa tha se Butrinti do të ndahet në dy pjesë, ndërsa vijoi me ironi duke i thënë ministres Margariti të japë me koncesion ministrinë e Kulturës.

Gjendem sërish para jush për të shpjeguar sqarime nga ministrja e Kulturës në lidhje me kontratën e parkut, të qytetit antik të Butrintit, pasi janë garantuar se ai qytet do të ndahet në dy copa. Disave do u jepet për resorte, duke hequr 800ha tokë. Pyetja ime e parë që ende s’’ka marrë përgjigje është se si ka mundësi që shteti jonë të heqë dorë nga mbrojtja kulturore, historike, arkeologjike dhe t’ia dorëzojë një privati?! Si ka mundësi që shtetit ynë thotë se administrimi për Butrintin ka dështuar për politizim të administratës dhe paaftësi të saj. Nëse kriteret për të dhënë me koncesion diçka është një administratë publike, atëherë institucioni i parë që duhet të jepet me koncension është ministria e Kulturës. Është institucion politik dhe i paaftë”, tha Zhupa.

Ndërsa ministrja Margariti iu përgjigj Ina Zhupës, teksa tha se në Butrint nuk do të ketë asnjë hotel apo kullë.

Është për ndezur një llampushkë për një diskutim shterpë. Butrinti do të administrohet nga një fondacion shqiptar. Shteti shqiptar është i hapur për të tjerë donatorë të fuqishëm. Fondacioni funksionon sipas ligjit të OJF shqiptar. Çdo qindarkë e Butrintit do të mbetet në Butrint. Të gjithë ata që shohin ëndrra me kulla e hoteli, u them që nuk do të ketë asnjë ndërtim të këtij lloji, do të parashikohet ngritja e një qendre dinjitoze larg rreth 1.5 km për të pasur një hyrje dinjitoze në një park kombëtar si në shumë vende të botës. Do të sigurohet transport ekologjik. Çdo investim në Butrint i mbetet Butrintit, parashikojmë të kemi rreth 110 punonjës dhe shteti nuk do të shpenzojë më para për pagat e punonjësve. Arka e Butrinti do të fillojë të kontribuojë ne kujdesin e Trashëgimisë Kulturore për t’i ardhur në ndihmë edhe siteve të tjerë”, tha Margariti.

SHKARKO APP